Izraeli arrestoi 4.634 palestinezë gjatë vitit 2020

Në mesin e të arrestuarve gjenden 543 fëmijë dhe 128 gra, tregoi një raport i përgatitur nga institucionet palestineze.

Forcat izraelite arrestuan 4.634 palestinezë në vitin 2020, përfshirë 543 fëmijë dhe 128 gra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një raporti të përgatitur nga institucionet palestineze, përfshirë Komitetin e të Burgosurve Palestinezë dhe Shoqërinë e të Burgosurve Palestinezë, të lidhura me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), 4.634 palestinezë nga Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor të pushtuar dhe Rripi i bllokuar i Gazës janë arrestuar nga forcat izraelite në vitin 2020.

Raporti vë në dukje se 543 nga të arrestuarit ishin fëmijë dhe 128 gra, duke shtuar se forcat izraelite shtuan arrestimin arbitrar të grave dhe fëmijëve në vitin 2020 dhe praktikuan metoda të ndryshme të torturave pas procesit të ndalimit.

Siç thuhet më tej, numri i palestinezëve të dënuar me burgim të përjetshëm është rritur në 543, pasi autoritetet izraelite dënuan pesë persona të tjerë me burg të përjetshëm këtë vit.

Raporti gjithashtu theksoi se numri i të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite në vitin 2020 është 4.400, 40 prej tyre gra dhe 170 fëmijë, ndërsa 380 palestinezë janë burgosur me masën e quajtur “burgim administrativ”.

Forcat izraelite arrestojnë palestinezët pothuajse çdo ditë gjatë bastisjeve në shtëpitë palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, prej të cilëve disa lirohen pas hetimeve të shkurtra dhe disa dërgohen në gjykatat izraelite.

Përmes masës së quajtur “burgimi administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ.

Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në pesë vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”.

Kategoritë
BotaLajme