Italia sërish me zona të ndryshme rreziku COVID-19

Nga java tjetër, qeveria italiane do ta ndajë sërish vendin në një numër zonash COVID-19 me rregulla të ndryshme të rreptësisë.

Rajonet veriore të Emilia Romagnas, Lombardisë dhe Venetos, si edhe Sicilia dhe Kalabria në jug, do të bien në zonën portokalli nga e hëna.

Në këto rajone pritet të zbatohen rregulla më të rrepta, sesa në pjesën tjetër të vendit, që do të përcaktohet si zonë e verdhë.

Në mënyrë të veçantë, në zonat portokalli, baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura dhe do të lejohen të shesin vetëm ushqime me vete, raporton ATSh.

Rrezja e lëvizjes së personave do të jetë e kufizuar brenda komunës.

Përveç kësaj, qeveria ka ndaluar udhëtimin midis të gjitha rajoneve deri më 15 janar.

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, situata pandemike është përkeqësuar kohët e fundit në të gjithë vendin.

Numri i rasteve, në rënie në dhjetor, po rritet sërish me shpejtësi.

Kategoritë
BotaLajme