Ish-spiuni izraelit pretendon: Izraeli do ta zhvillojë luftën e ardhshme kundër Turqisë dhe Egjiptit

Jonathan Pollard, shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka punuar si spiun për Izraelin, në një podcast për median izraelite Arutz Sheva foli për të ardhmen e marrëdhënieve në Lindjen e Mesme dhe shprehu qëndrimet e tij lidhur me konfliktet e mundshme në rajon.

Duke folur për Çështjen e Lartësive të Golanit, të cilat aktualisht mbahen nën pushtimin izraelit, Pollard tha se nëse Siria do të tentonte të rikthente territorin e saj, Turqia do të shfaqej në kufijtë e Izraelit.

“Nuk jam i sigurt se do ta kemi aq të lehtë me turqit sa e patëm me Iranin. Po ndjek doktrinën ushtarake turke dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme. Stuhia po afrohet”, tha Pollard.

Ai theksoi më tej se një problem i veçantë është fakti se Turqia është anëtare e NATO-s dhe se Izraeli duhet “urgjentisht të zgjidhë çështjen e Iranit dhe Hezbollahut”.

“Pse jam kaq i fokusuar në këtë tani? Sepse duhet të përgatitemi për luftën e ardhshme, e cila me shumë gjasë do të jetë kundër Turqisë dhe Egjiptit. Shpresoj që kjo të mos ndodhë, por duhet të kujtoni se ky ishte demoni i fundit që mbeti në Kutinë e Pandorës dhe ka një arsye për këtë”, tha ai në podcast.

Pollard u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1987 për vjedhjen dhe dorëzimin e informacioneve sekrete amerikane Izraelit. Megjithatë, pas dekadash presioni intensiv nga Izraeli dhe grupet pro-izraelite në SHBA, ai u lirua nga burgu në vitin 2015.

Që nga viti 2020 ai jeton në Izrael. Në këtë vend mbërriti me një avion privat në pronësi të familjes Adelson, e cila është një donatore e rëndësishme e fushatave të presidentit amerikan Donald Trump. Në Tel Aviv ai u prit nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Vitin e kaluar shpërtheu një skandal kur ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, e priti Pollardin në ambientet e ambasadës amerikane, pavarësisht se bëhej fjalë për një person të dënuar për shitjen e të dhënave sekrete amerikane.

Pollard është kandiduar gjithashtu në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Izrael. Platforma e tij politike është e përqendruar rreth idesë së zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza drejt Irlandës.

Kategoritë
BotaLajme