Naama Levy, një nga pesë ushtaret izraelite që u liruan gjatë armëpushimit të janarit, deklaroi para një turme në Tel Aviv se sulmet ajrore izraelite ishin për të përvoja më të frikshme sesa vetë robëria në Gazë.
“Sulmet vijnë papritur. Së pari dëgjon një fishkëllimë, lutesh që bomba të mos bjerë mbi ty – dhe më pas, një shpërthim i tmerrshëm, një zhurmë që të paralizon, toka dridhet nën këmbët e tua”, tha Levy, sipas Times of Israel.
Ajo kujtoi një moment kur gati humbi jetën nga një bombardim, duke treguar se një mur pas të cilit ishte mbështetur nuk u shemb dhe kjo i shpëtoi jetën.
“Çdo herë besoja se po vinte fundi im. Dhe pikërisht kjo më vuri në rrezikun më të madh – një bombardim rrëzoi një pjesë të shtëpisë ku isha mbajtur. Muri ku mbështetesha mbeti në këmbë – kjo më shpëtoi”, tha ajo.
Levy po ashtu foli për kushtet e rënda të jetesës gjatë robërisë.
“Në një ditë nuk kisha asgjë – as ujë. Fatmirësisht filloi të bjerë shi. Rojtarët e mi vendosën një tenxhere jashtë shtëpisë ku isha, dhe ajo u mbush me ujë. E piva atë ujë dhe ishte mjaftueshëm për të gatuar një tenxhere me oriz. Ajo më mbajti gjallë.”
Deklaratat e saj nxorën në pah tragjedinë e të gjithë atyre që ende mbahen peng në Gazë, duke përmendur mungesën e ushqimit, ujit dhe frikën e përhershme nga bombardimet.