Dikur një përfaqësues i shkëlqyer i Spanjës, Gerard Deulofeu, i cili ka luajtur për gjigantë si Milani, Barcelona dhe Evertoni, sot është në prag të invaliditetit të përhershëm për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.
Deulofeu (31) duhej të dominonte futbollin e klubeve në këto vite, por ai nuk është në fushë që nga janari i vitit 2023. Pas dy vitesh e gjysmë lufte me një dëmtim të rëndë në gju, ai ka folur dhe ka shpjeguar situatën e tij.
Ish-përfaqësuesi i Spanjës, i cili në fillim të këtij viti e ndërpreu kontratën me Udinesen, pësoi lëndimin e gjurit në një ndeshje kundër Napolit në janar 2023. Ai iu nënshtrua operacionit dhe nuk është kthyer më në fushë.
Ai kishte kontratë deri në vitin 2026 me klubin nga Udine, por ajo u ndërpre me marrëveshje në janar të këtij viti. Tani ai ka hapur zemrën dhe në një intervistë për Flashscore ka zbuluar se është “në prag të invaliditetit të përhershëm”.
“Është shumë më tepër se një dëmtim, është afër invaliditetit të përhershëm. Është sikur të kem një protezë në gju. Pamundësia për të bërë një hap sepse kocka godet në kockë është një gjë shumë serioze. Po luftoj kundër biologjisë, por edhe kundër kësaj (kokës sime)”, tha Deulofeu, i cili u shpreh shumë i lumtur për trajtimin në Udinese, edhe pse që nga dimri nuk është më pjesë e këtij klubi.
“Jam duke luftuar tashmë dy vjet e gjysmë. Kam pasur fat që ekipi im, presidenti dhe shokët e mi në Udinese kanë qenë pranë meje gjatë gjithë kohës”, shtoi spanjolli.
Futbollisti i krahut zbuloi se “nuk mund të numërojë” sa herë ka menduar të përfundojë karrierën, por theksoi se ende shpreson për një mrekulli dhe një rikthim në fusha.
“Do të jetë shumë e vështirë, por dua të shkruaj histori. Mendoj se mund të bëhem lojtari që ka munguar më së gjati në fushë, por që është rikthyer. Për mua, ky do të ishte një rekord madhështor dhe i bukur. Po lutem për një mrekulli dhe dua ta bëj këtë për familjen dhe fëmijët e mi. Ata kanë lindur duke ditur që jam futbollist, por dua të më shohin tani që janë pak më të rritur”, shtoi ish-lojtari i Barcelonës.
Deulofeu ishte një talent i madh i Barcelonës, aty ku edhe nisi karrierën. Ai shfaqi paraqitje të shkëlqyera te Milani, Watfordi dhe Udineseja, ndërsa luajti gjithashtu për Evertonin dhe Sevillën. Për përfaqësuesen e Spanjës ka shënuar një gol në katër ndeshje të luajtura.