Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka qenë i përfshirë në diskutime mbi drejtimin e një administrate kalimtare pas luftës në Gaza, mëson BBC.
Propozimi, i cili ka mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë, parashikon që Blair të drejtojë një autoritet administrativ të mbështetur nga OKB-ja dhe vendet e Gjirit Persik, para se kontrolli t’u kthehej palestinezëve.
Zyra e tij ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë asnjë propozim që do të përfshinte shpërnguljen e popullit të Gazës.
Blair, i cili e futi Britaninë e Madhe në luftën e Irakut në vitin 2003, ka qenë pjesë e bisedimeve në nivel të lartë me SHBA-në dhe palë të tjera për të ardhmen e Gazës.
Në gusht ai iu bashkua një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin për të diskutuar planet për këtë territor, të cilat i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i përshkroi si “shumë gjithëpërfshirëse” – edhe pse pak gjëra të tjera janë bërë të ditura për këtë takim.
Planet mund ta përfshijnë Blair-in në krye të një organi të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën (Gita), sipas raportimeve të Economist dhe mediave izraelite. Ky organ do të kërkonte mandat nga OKB-ja për të qenë “autoriteti suprem politik dhe juridik” i Gazës për pesë vjet.
Plani do të ishte i modeluar sipas administratave ndërkombëtare që mbikëqyrën tranzicionin e Timorit Lindor dhe Kosovës drejt shtetësisë. Fillimisht, selia do të ishte në Egjipt, afër kufirit jugor të Gazës, përpara se të vendosej brenda në Gaza kur territori të stabilizohej, me forca shumëkombëshe.
Si kryeministër, Blair mori vendimin për angazhimin e forcave britanike në luftën e Irakut në vitin 2003, një vendim që u kritikua ashpër në hetimin zyrtar të konfliktit, i cili konstatoi se ai veproi mbi bazën e të dhënave të mangëta të inteligjencës.
Pas largimit nga posti në vitin 2007, Blair shërbeu si i dërguar për Lindjen e Mesme për Kuartetin e fuqive ndërkombëtare (SHBA, BE, Rusia dhe OKB). Ai u përqendrua në sjelljen e zhvillimit ekonomik në Palestinë dhe krijimin e kushteve për një zgjidhje me dy shtete.
Raportet për diskutimet mbi përfshirjen e tij në një autoritet kalimtar për Gazën vijnë pasi presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha të enjten se është i gatshëm të bashkëpunojë me Trumpin dhe udhëheqës të tjerë botërorë për zbatimin e planit të paqes me dy shtete.
Abbas theksoi refuzimin e tij për një rol të ardhshëm qeverisës të Hamasit në Gaza dhe kërkoi çarmatosjen e tij.
Gjatë konfliktit, disa palë kanë paraqitur propozime të ndryshme për të ardhmen e Gazës.
Në shkurt, Donald Trump paraqiti plane – që duket se që atëherë janë hedhur poshtë – që SHBA të merrte një “pozitë afatgjatë pronësie” mbi Gazën, duke thënë se ajo mund të bëhej “Riviera e Lindjes së Mesme”.
Ideja do të përfshinte shpërnguljen e detyruar të palestinezëve nga territori dhe do të ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar. SHBA dhe Izraeli thanë se kjo do të përfshinte një shpërngulje “vullnetare”.
Në mars, SHBA dhe Izraeli refuzuan një plan arab për rindërtimin pas luftës të Rripit të Gazës, i cili do t’u lejonte 2,1 milionë palestinezëve që jetojnë atje të mbeteshin në vendet e tyre. Autoriteti Palestinez dhe Hamasi e mirëpritën planin arab, që parashikonte që Gazës përkohësisht t’i qeveriste një këshill ekspertësh të pavarur dhe që atje të vendoseshin forca paqeruajtëse ndërkombëtare.
Në korrik, në një konferencë ndërkombëtare në New York nën drejtimin e Francës dhe Arabisë Saudite u propozua një “këshill administrativ kalimtar” për Gazën që do të vepronte “nën ombrellën e Autoritetit Palestinez”. As SHBA e as Izraeli nuk morën pjesë. Të ashtuquajturën Deklaratë e Nju Jorkut e mbështeti shumica e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në një rezolutë më herët këtë muaj.
Më herët këtë javë, Britania e Madhe njohu zyrtarisht Shtetin e Palestinës, së bashku me Francën, Kanadanë, Australinë dhe disa vende të tjera.
Britania dhe të tjerët përsëritën thirrjet për një zgjidhje me dy shtete, që do të përfshinte krijimin e Palestinës së pavarur në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, krah Izraelit.
Të paktën 65.502 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza deri më tani, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë në atë territor të kontrolluar nga Hamasi. Komisioni Hetimor i OKB-së ka deklaruar se Izraeli ka kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza, gjë që Izraeli e mohon.