Ish këshilltar i Trumpit zbuloi se si e manipuloi Putini: Ai i lëvdonte egon e tij përmes lajkatimit

Ish këshilltar për sigurinë kombëtare i Donald Trumpit, H.R. McMaster, gjatë një interviste në televizionin amerikan CBS, foli për marrëdhënien midis ish-presidentit të SHBA-së dhe liderit të Rusisë, Vladimir Putin, veçanërisht për manipulimin e tij nga ana e presidentit rus.

McMaster ishte i ftuar në emisionin “Face the Nation” dhe foli për kohën që kaloi si këshilltar për sigurinë kombëtare, pozicion që e mbajti nga viti 2017 deri në 2018, gjatë administratës së Donald Trumpit. Ai gjithashtu promovoi librin e tij të ri, i cili lidhet me periudhën që kaloi në Shtëpinë e Bardhë.

Pjesa më interesante e intervistës ishte ajo që lidhej me Putinin, përkatësisht mënyrën se si, sipas McMasterit, presidenti rus arriti të manipulojë ish-presidentin e SHBA-së.

“Putini, si një ish-agjent i ashpër i KGB-së, e dinte si ta lëvdonte egon e Trumpit përmes lajkatimit. Kam menduar gjatë nëse duhet të shkruaj rreth marrëdhënies së tyre. Megjithatë, doja ta përshkruaja saktësisht atë që ndodhi në mënyrë që Trump ta kuptonte se çfarë po ndodhte dhe, nëse zgjidhet përsëri, të korrigjojë gabimet që ka bërë dhe të jetë më pak i cenueshëm,” tha McMaster.

Përveç kësaj, ai këshilloi Trumpin që të rrethojë veten me një ekip më të mirë dhe të jetë i kujdesshëm nëse kthehet përsëri në Shtëpinë e Bardhë, sepse të gjithë do të përpiqen ta manipulojnë.

Kategoritë
BotaLajme