Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, dhe ai i Irlandës, Micheál Martin, janë deklaruar me rastin e njëvjetorit të njohjes zyrtare të shtetit të Palestinës, duke theksuar se do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e popullit palestinez.
Në një postim në platformën X, kryeministri irlandez tha:
“Para një viti, Irlanda e njohu zyrtarisht Shtetin e Palestinës. E bëmë këtë sepse besojmë se populli palestinez dhe ai izraelit meritojnë të jetojnë në paqe dhe siguri, krah për krah.”
Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez theksoi se vuajtja në Gazë vazhdon të jetë e padurueshme.
“Një vit pas njohjes së Palestinës si shtet, dhimbja në Gazë është e patolerueshme. Spanja do të vazhdojë ta ngrejë zërin e saj, më fuqishëm se kurrë, për të ndalur masakrën që po e sheh e gjithë bota sot,” u shpreh Sánchez.
Pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ai përsëriti qëndrimin e tij dhe shtoi:
“I kërkova gjithashtu BE-së të mobilizohet për të ndalur pushtimin e Netanyahut ndaj Gazës – përmes presionit diplomatik, pezullimit të Marrëveshjes së Asociimit dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Izraelit.”
Spanja dhe Irlanda po pozicionohen gjithnjë e më shumë si zëra të fuqishëm brenda Bashkimit Evropian në mbrojtje të të drejtave të popullit palestinez dhe kundër dhunës së vazhdueshme në Gaza.