Irani reagon menjëherë ndaj sulmeve izraelite në Liban: Mbyllet sërish Ngushtica e Hormuzit për anijet

Komanda Qendrore Ushtarake e Iranit njoftoi se ka mbyllur sërish Ngushtica e Hormuzit për qarkullimin e anijeve, pasi Izraeli kreu sulme të reja në Liban.

Në një deklaratë për media, ushtria iraniane tha se me këto veprime është shkelur marrëveshja e arritur ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

“Me këtë njoftohet se Ngushtica e Hormuzit do të jetë e mbyllur për trafikun detar. Ky është hapi i parë si përgjigje ndaj shkeljes së premtimeve nga armiku. Nëse agresioni vazhdon, do të planifikohen dhe ndërmerren hapa të tjerë për ta detyruar armikun të përmbushë obligimet e tij”, thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore Khatam-al Anbiya, të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian.

Lidhur me këtë zhvillim reagoi edhe JD Vance, i cili deklaroi se deri më tani nuk ka prova që tregojnë se kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit është mbyllur realisht.

Gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës, Izraeli kreu një seri sulmesh në jug dhe lindje të Libanit, duke pretenduar se kishte në shënjestër Hezbollah, pasi sipas Tel Avivit ky grup kishte shkelur armëpushimin.

Ushtria izraelite (IDF) deklaroi se mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit, në përputhje me udhëzimet e udhëheqjes politike, por theksoi se Hezbollah kishte lëshuar më herët 50 raketa drejt veriut të Izraelit, gjë që sipas tyre e bëri të domosdoshme kundërpërgjigjen ushtarake.

Kategoritë
BotaLajme