Irani: Kryenegociatorët iranianë dhe amerikanë me gjasë do të takohen të premten para nënshkrimit të memorandumit

“Krerët e dy delegacioneve me gjasë do të takohen në Zvicër të premten dhe memorandumi i mirëkuptimit midis Iranit dhe SHBA-së mund të nënshkruhet, pas së cilës do të mbahet raundi i parë i negociatave pasuese”, tha ai

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka bërë të ditur se drejtuesit e delegacioneve negociuese të Iranit dhe SHBA-së me gjasë do të takohen të premten në Zvicër para nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi dhe nisjes së një raundi të ri bisedimesh, transmeton Anadolu.

Duke folur pas një takimi të përbashkët me anëtarët e Komisionit Ekonomik të Parlamentit, siç raporton agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, Araghchi tha se pritet që takimi ndërmjet krerëve të dy delegacioneve të mbahet të premten në Zvicër.

“Krerët e dy delegacioneve me gjasë do të takohen në Zvicër të premten dhe memorandumi i mirëkuptimit midis Iranit dhe SHBA-së mund të nënshkruhet, pas së cilës do të mbahet raundi i parë i negociatave pasuese”, tha ai.

Araghchi tha se mirëkuptimi mund të ndihmojë në krijimin e mundësive ekonomike për Iranin, por theksoi se ekonomia e vendit nuk duhet të bëhet e varur nga marrëveshjet e arritura përmes negociatave me SHBA-në.

Ministri iranian gjithashtu iu referua asaj që e përshkroi si një histori të zotimeve të pa përmbushura, mos zbatimit të marrëveshjeve dhe braktisjes së marrëveshjeve të mëparshme, duke theksuar se Irani po planifikon si procesin negociues ashtu edhe zbatimin e çdo marrëveshjeje të ardhshme bazuar në mësimet e nxjerra nga përvojat e kaluara.

Ai shtoi se Irani do të përpiqet të shfrytëzojë maksimalisht mundësitë ekonomike që mund të burojnë nga çdo marrëveshje, por nuk do të mbështetet në to gjatë përcaktimit të politikës së tij të jashtme.

Kategoritë
BotaLajme