Irani fiton një fond prej 300 miliardë dollarësh: Paratë vijnë nga investitorë privatë, më shumë se gjysma tashmë janë siguruar

Një fond me vlerë 300 miliardë dollarë, i projektuar për të nxitur investimet në Iran, është paraparë në marrëveshjen kornizë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ndërsa më shumë se gjysma e kësaj shume tashmë është premtuar, raportoi Reuters.

Fondi është menduar t’u ofrojë të dyja palëve një stimul ekonomik për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do t’i jepte fund luftës.

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë njoftuan të dielën se kanë arritur një marrëveshje kornizë për përfundimin e luftës, e cila filloi kur forcat amerikane dhe izraelite sulmuan Iranin më 28 shkurt. Marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen e bllokadës amerikane ndaj Iranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimin global me naftë dhe gaz.

Sipas Reuters, fondi i ri është një mekanizëm privat investimesh dhe jo një program rindërtimi apo kompensimi lufte. Ai nuk do të përfshijë fonde shtetërore apo grante.

Kompani me seli në SHBA, vendet arabe të Gjirit, Azi, Amerikën e Jugut dhe Afrikë kanë rënë dakord të sigurojnë financimin. Investimet e planifikuara përfshijnë sektorët e energjisë, logjistikës, prodhimit dhe transportit.

Teherani fillimisht kishte kërkuar 400 miliardë dollarë dëmshpërblim për dëmet e luftës nga SHBA-ja, por Uashingtoni ka bërë të ditur se nuk do të paguajë një kompensim të tillë.

Sipas një burimi iranian, mekanizmi parasheh që vendet e rajonit të kontribuojnë në forma të ndryshme, duke përfshirë ofrimin e kredive, krijimin e linjave kreditore ose financimin e drejtpërdrejtë të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga lufta, si kompleksi i çelikut Mobarakeh, rafineritë, aeroportet dhe infrastruktura tjetër e prekur nga konflikti.

Irani, një nga ekonomitë më të mëdha të Lindjes së Mesme, gjatë katër dekadave të fundit ka tërhequr shumë pak investime të huaja direkte për shkak të përjashtimit nga tregjet globale të kapitalit si pasojë e sanksioneve të njëpasnjëshme amerikane dhe ndërkombëtare.

Një burim i njohur me marrëveshjen deklaroi për Reuters se fondi investues është plotësisht i ndarë nga procesi paralel i negociatave që ka të bëjë me heqjen e sanksioneve amerikane dhe lirimin e aseteve shtetërore iraniane të ngrira jashtë vendit. Ai theksoi se bëhet fjalë për dy mekanizma të ndryshëm financiarë me objektiva dhe afate të ndryshme.

Fondi nuk do të themelohet dhe as nuk do të fillojë funksionimin derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe e pranueshme për të gjitha palët. Memorandumi i Mirëkuptimit, pasi të nënshkruhet, pritet të shërbejë si kornizë për zbatimin e procesit gjatë 60 ditëve të ardhshme.

Kategoritë
BotaLajme