India mohon pretendimin e Pakistanit për rrëzimin e avionëve: Dezinformim

Qeveria indiane ka mohuar kategorikisht pretendimin e Pakistanit se ka rrëzuar pesë avionë luftarakë indianë, duke e cilësuar lajmin si “dezinformim”.

Reagimi erdhi pasi media shtetërore kineze Global Times, duke cituar burime nga ushtria pakistaneze, raportoi se Forca Ajrore e Pakistanit kishte rrëzuar pesë avionë indianë në përgjigje të sulmeve ajrore që India ndërmori më herët në territorin pakistanez dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani.

Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, Ambasada e Indisë në Kinë tha se lajmi ishte “i pavërtetë” dhe përfaqëson një përpjekje për të përhapur dezinformim në një situatë tashmë të tensionuar.

Ndërkohë, India ende nuk ka komentuar zyrtarisht përmes Ministrisë së Mbrojtjes, por burime pranë qeverisë indiane thonë se asnjë avion nuk është rrëzuar dhe se operacionet ajrore kanë përfunduar sipas planit.

Ky shkëmbim akuzash vjen në një klimë të tensionuar pas Operacionit Sindoor, në të cilin India thotë se ka goditur “infrastrukturë terroriste” në Pakistan si hakmarrje për sulmin ndaj civilëve në Pahalgam më 22 prill.

Kategoritë
BotaLajme