Trupi gjykues dënoi zyrtarin e Qeverisë së Serbisë, Igor Popoviq, me 6 muaj burgim, që zëvendësohet me gjobë 3 mije euro si dhe dëbimi i tij nga Kosova si dhe i ndalohet hyrja për dy vjet.
Popoviq akuzohet se me dashje ka nxitur e përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.
Ndaj tij do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar. Më 5 gusht, Prokuroria Speciale ka njoftuar se me ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Popoviq u arrestua më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak, një ditë pasi mbajti fjalim në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë të cilit Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quajti organizatë terroriste.
Më herët, prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që t’i shqiptojë dënimin me gjashtë muaj burgim, por që t’i zëvendësohet me gjobë 3 mijë euro dhe dëbim të Igor Popoviqit nga Kosova për dy vjet.
Prokuroria Speciale e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë kundër Popoviqit.