I dërguari i SHBA-së në OKB: Shpresojmë që izraelitët të dëgjojnë pikëpamjet tona për qytetin Rafah

Wood theksoi se zyrtarët amerikanë “po ua bëjnë shumë të qartë” izraelitëve se ka “mënyra të tjera për të arritur objektivat tuaja” në vend që të “vazhdoni përpara me operacione tokësore të plotë”

Ambasadori i SHBA-së në OKB, Robert Wood, ka deklaruar se ata “shpresojnë që izraelitët të dëgjojnë pikëpamjet tona” për qytetin Rafah në Rripin e Gazës jugore, ku Kabineti i Luftës i Izraelit në fillim të kësaj jave autorizoi të kryejë operacione ushtarake, transmeton Anadolu.

“Ne thamë se ishim të shqetësuar për një operacion të madh tokësor në Rafah. Ne po komunikojmë çdo ditë me izraelitët për këtë çështje. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Wood duke folur për Anadolu në New York.

Wood theksoi se zyrtarët amerikanë “po ua bëjnë shumë të qartë” izraelitëve se ka “mënyra të tjera për të arritur objektivat tuaja” në vend që të “vazhdoni përpara me operacione tokësore të plotë”.

“Ne i konsultuam ata për disa nga ato ide. Dhe kështu, ne shpresojmë se ata do të dëgjojnë pikëpamjet tona”, tha ai.

Izraeli ka vrarë të paktën 35.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 78.600 të tjerë në ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.

Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme