Hotit nuk ia dëgjojnë fjalën, 14 shkolla të Prishtinës nuk po mbajnë mësim

Në 14 shkolla të komunës së Prishtinës mësimdhënësit nuk i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit Avdullah Hoti, që sot, ditë e hënë, të mbahet mësimi dhe jo të jetë pushim ashtu siç është në kalendarin e viti shkollor për vitin 2020/21.

Ndërsa mësimi po mbahet në 36 shkolla fillore dhe të mesme të larta, kurse në 4 shkolla është duke u zhvilluar mësim online sipas rekomandimeve të IKSHP.

Kështu ka thënë për lajmi.net drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala.

Shala ka thënë se përkundër që për këtë nuk kanë marr njoftim zyrtar nga Qeveria por nga mediat, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka lëshuar njoftim se dita e hënë do të jetë ditë pune.

“Por, pas informatës të marr nga media se Kryeministri i Kosovës z.Hoti, ka lëshuar një njoftim se dita e hënë 30.11.2020 do të jetë ditë pune, atëherë ne i kemi njoftuar drejtuesi e shkollave se më datë 30 nëntor do të mbahet mësim i rregullt edhe pse për këtë çështje nuk kemi pranuar ndonjë vendim zyrtar nga institucionet përgjegjëse, vetëm informatë përmes mediave”, ka thënë Shala.

“Andaj, sot në shkollat e komunës së Prishtinës, mësimi është duke u mbajtur në 36 shkolla fillore dhe të mesme të larta dhe në 4 shkolla është duke u zhvilluar mësim online sipas rekomandimeve të IKSHP, për shkak të rasteve poztive me covid në shkolla, kurse në 14 shkolla mësimdhënsit nuk ju kanë përgjigjur thirrjes së kryeministrit për të punuar ditën e hënë, me 30.11.2020”, ka thënë Shala

Ajo po ashtu tha se duhet theksuar që të gjithë drejtorët e shkollave sot kanë qenë në objektet shkollore për të pritur nxënësit.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme SBASHK ka kundërshtuar këtë vendim të kryeministrit Hoti duke u bërë thirrje shkollave që sot mos të mbahet mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi