Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fund të mandatit të tyre po i bëjnë “përpjekjet e fundit dëshpëruese”.
Ai tha se Kurti po i mban institucionet e bllokuara derisa po i shmanget drejtësisë, ndërsa për Osmanin tha se po përpiqet të gjejë “viktimën e radhës” për të mashtruar edhe për një mandat.
“Dy krerët e shtetit, kryeministri dhe presidentja, tanimë kanë hyrë në historinë politike të Kosovës si mashtrues të elektoratit dhe dëmtues të shtetit të Kosovës. Në përmbyllje të mandatit të tyre pesëvjeçar në krye të shtetit, po bëjnë përpjekjet e fundit dëshpëruese. I pari, duke i mbajtur të bllokuara institucionet e vendit dhe duke mos iu përgjigjur drejtësisë, ndërkohë që korrupsioni ka lulëzuar gjithandej. E dyta, po përpiqet të gjejë viktimën e radhës për ta mashtruar për një mandat tjetër apo për rikthim në garën politike elektorale”.
Hoti shtoi se “skena politike është pa ide, angazhim dhe guxim për të ofruar zgjidhje”.
“Hoti është njeriu më jorelevant, në të cilin nuk dua të humb asnjë sekondë. Nëse doni ta bëni si pyetje tuajën se a është zbatuar marrëveshja a po jo, vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve. A e keni lexuar marrëveshjen, cilën pjesë nuk e ka zbatuar Kosova?”, tha dje Osmani, duke iu përgjigjur një gazetari që e kishte pyetur për deklaratat e Hotit.
Në një diskutim në Institutin Hudson gjatë vizitës së saj në SHBA, Osmani ishte pyetur nëse Uashingtoni po bën ndonjë lëvizje në raport me Marrëveshjen e Uashingtonit, qoftë duke e ringjallur atë, qoftë pjesërisht apo tërësisht dhe në përgjigje Osmani kishte thënë se kjo marrëveshje është zbatuar.
Për këtë deklaratë, Hoti kishte reaguar, duke e akuzuar Osmanin për hipokrizi.
“Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës! Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar”, kishte thënë Hoti./Express/