Hebreu amerikan akuzohet për spiunazh në Izrael: Dyshohet se punoi për iranianët në këmbim të kriptovalutave

Shtetasi amerikan Eli Lavon, 21 vjeç, i cili jeton në Izrael, është akuzuar për spiunazh në favor të Iranit në këmbim të pagesave me kriptovaluta. Kjo është hera e parë që një amerikan përballet me ndjekje penale në valën aktuale të aferave të spiunazhit në këtë vend.

Lavon është hebre ultraortodoks, i cili ka studiuar në një shkollë teologjike hebraike në Jerusalem. Sipas aktakuzës, në nëntor të vitit 2025, gjatë një vizite te familja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai iu përgjigj një shpalljeje pune të publikuar në aplikacionin Telegram.

Një muaj më vonë, pasi Lavon u kthye në Izrael, përmes këtij aplikacioni e kontaktoi një agjent i huaj që vepronte në emër të shërbimit të inteligjencës iraniane. Agjenti shpejt filloi t’i jepte detyra që përfshinin fotografime dhe xhirime video.

Prokurorët pretendojnë se Lavon ka xhiruar një ndërtesë të braktisur në një lagje fetare në Jerusalem, si dhe ambientet e brendshme të një dyqani ushqimor.

Në aktakuzë thuhet se, në kuadër të një prej detyrave, atij iu urdhërua të fshihte një paketë cigaresh në koshin e mbeturinave në tualetin e qendrës tregtare Hadar Mall në Jerusalem, bashkë me një mesazh ku shkruhej: “Puna u krye”.

Për këto xhirime, Lavon mori qindra dollarë në kriptovaluta. Prokurorët shtuan se për komunikim me operativët e huaj ai përdorte dy llogari të ndryshme në Telegram dhe tre telefona celularë.

Që nga viti 2023, Izraeli po përballet me një valë të paprecedentë të spiunazhit të brendshëm. Deri më tani, të paktën 60 izraelitë janë akuzuar për spiunazh në favor të Iranit, por ky është rasti i parë që një shtetas amerikan ndalohet nën dyshime të ngjashme.

Disa prej lokacioneve që, sipas pretendimeve të prokurorisë, janë xhiruar nga këta rekrutë të dyshuar, kanë qenë objektiva të sulmeve raketore iraniane ndaj Izraelit gjatë vitit të kaluar.

Lavon u arrestua më 9 qershor dhe akuzohet në dy pika për vendosje kontakti me një agjent të huaj, si dhe në 14 pika për transmetim informacioni armikut, informacion që mund t’i ishte i dobishëm atij.

“Kjo aktakuzë ilustron se si agjencitë e huaja të inteligjencës përpiqen ta shfrytëzojnë sferën digjitale për të identifikuar, rekrutuar dhe menaxhuar individë brenda vetë Izraelit, si dhe sa e rëndësishme është të mbetemi vigjilentë dhe ta ndërpresim menjëherë kontaktin kur dikush na afrohet në këtë mënyrë”, thuhet në deklaratën e Ronit Shentzer Yaakobi nga Prokuroria e Qarkut në Jerusalem.

Nga ana tjetër, avokati i Lavonit, Raz Bar Tzvi, deklaroi për CNN se “jo çdo person me të cilin një aktor i huaj vendos kontakt përmes rrjeteve sociale është ‘spiun atomik’”.

“Realiteti juridik duhet t’i përshtatet realitetit teknologjik. Pretendimet e përshkruara në aktakuzë nuk përputhen me gjendjen reale të fakteve”, tha Bar Tzvi, duke refuzuar të zbulojë se si do të deklarohet klienti i tij lidhur me fajësinë.

Edhe pse Lavon në fund e bllokoi agjentin e parë të huaj, prokurorët thanë se më pas ai vendosi kontakt me një operativ tjetër të shërbimit të inteligjencës iraniane.

Sipas aktakuzës, në shkurt ai fshehu një pajisje USB të mbështjellë me një bankënotë prej 50 shekelësh në një restorant në Jerusalem dhe u dërgoi agjentëve një selfie bashkë me fotografinë e pasaportës së tij.

Agjenti i dytë kërkoi gjithashtu nga Lavon që t’i dorëzonte emrat e kolegëve të tij nga shkolla teologjike, por ai refuzoi t’i përfshinte miqtë.

Për këto detyra ai mori 518 dollarë në kriptovaluta, duke e çuar shumën totale të fituar në 1.379 dollarë, transmeton CNN.

Kategoritë
BotaLajme