Haxholli tha se iu dha vërejtje me shkrim, përgjigjet Ministria e Jashtme: Dha qëndrime publike pa koordinim

Ankesat janë të vazhdueshme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, madje edhe nga punonjësit e vetë kësaj ministrie.

Sekretari i Parë i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ditë më parë bëri të ditur se ka pranuar një vërejtje me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sipas Haxhollit, vërejtjen me shkrim e mori për shkak të reagimeve dhe deklarimeve të vazhdueshme në “mbrojtje të interesit publik, qytetarë dhe para se gjithash në mbrojtje të interesit shtetëror”.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të drejtuar nga Donika Gërvalla.

MPJD ka demantuar pretendimet e zyrtarit të saj, Haxholli.

Sipas MPJD-së këto kjo vërejtje me shkrim drejtuar Haxhollit është lëshuar pasi ky i fundit ka përsëritur të njëjtën shkelje tri herë radhazi brenda tre muajve.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju konfirmojmë se ndaj z. Fatmir Haxholli, me gradën Sekretari i Parë në Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, është shqiptuar masa disiplinore: “VËREJTJE ME SHKRIM”. Masa disiplinore e sipërpërmendur është shqiptuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbështetur nё aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në Republikën e Kosovës dhe ka rezultuar pas përsëritjes të së njëjtës shkelje tre herë radhazi brenda tre muajve”, u tha nga MPJD.

Gjithashtu nga MPJD u tha se përkundër paralajmërimeve, takimeve dhe vetë zotimit nga ana e Haxhollit, ky i fundit ka vazhduar të shprehë deklarata dhe qëndrime publike, të cilat as nuk kanë qenë të koordinuara me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe as nuk kishin aprovim paraprak.

“Për këto arsye, me datën 02.06.2024, z. Haxholli, është thirrur në një takim raportues/sqarues me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Ilir Muçaj, duke ju tërhequr vërejtja se deklarime të tilla përderisa është diplomat i Republikës së Kosovës nuk mund të bëjë në raport me shtetin e Serbisë pa u koordinuar dhe pa marr aprovim paraprak nga ana e MPJD-së.Në të njëjtin takim, z. Haxholli, është zotuar se kjo qasje e komunikimit me publikun do të ndërpritet nga ana e tij me ç ‘rast pas takimit, z. Haxholli, me datën 03.06.2024, ka shkruar email, ku ndër të tjera thotë: “… i gjithë interesimi i mediave në drejtim timin për zhvillimet në Serbi, do t’i përcillet me automatizëm MJPD-së, për menaxhim dhe aprovim”.Përkundër paralajmërimeve, takimeve dhe vetë zotimit nga ana e tij, z. Haxholli, ka vazhduar të shprehë deklarata dhe qëndrime publike, të cilat as nuk kanë qenë të koordinuara me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës dhe as nuk kishin aprovim paraprak”, u theksua tutje.

Sipas ministrisë, si pasojë, veprimet të lartpërmendura bien ndesh me detyrat dhe përgjegjësitë e punës në këtë zyrë, ashtu si dhe me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në Republikën e Kosovës.

“Për më tepër, z. Haxholli, i është dërguar arsyetimi i plotë i masës disiplinore dhe ai ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga dita e pranimit të kësaj mase disiplinore, nëse konsideron shkeljen e drejtave të tij”, u përfundua në përgjigjen ministrisë së drejtuar nga Gërvalla.
Ndryshe Haxholli pati deklaruar se në mungesë të një arsyetimi eventual përmbajtjesor, vërejtjen ndaj tij e dokumente/dëshmi shoqëruese, postimet e tij, do t’i mbajë si referencë dhe rekomandim, e kësisoj nuk do t’i ankimojë juridikisht.

Përveç saj, Haxholli ka shtuar se përderisa në Serbi bëhet garë se kush prononcohet më shumë dhe më ashpër kundër Republikës së Kosovës, pa asnjë argument dhe pa asnjë të drejtë, me mirëkuptim do t’i kërkoja hierarkisë së MPJD-së, porositësit dhe shqiptuesit, se ku, kur dhe në cilin aspekt deklarimet e tij kanë rënë ndesh me mandatin e Zyrës dhe me prioritetet e MPJD-së.

Haxholli kishte falënderuar në mënyrë ironike MPJD-në duke thënë që së paku përmes vërejtjes njohën punën e tij, pasi që sipas tij në një kulturë ndëshkuese dhe përjashtuese do të befasohej vetëm nga një mirënjohje a vlerësim./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi