Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se ka qenë qëndrim i njëanshëm i saj kur ka deklaruar se do të tërhiqej nëse nuk i merr 61 vota për kryeparlamentare më votim të fshehtë.
Por, krahas kësaj, Haxhiu tha se për këtë qëndrim ka marrë mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosja dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
Ndër të tjera, kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se janë të hapur për të marrë pjesë në takimet që pritet të thirren nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo potencoi se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë të re nga Osmani për takim.
“Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditëve. Ndonëse kjo nuk ka qenë çështje që e ka adresuar AAK-ja dhe PDK-ja, LDK-ja kur e kanë kontestuar komisionin për votimit e fshehtë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka dalë jashtë kërkesës dhe ka përcaktuar tashmë një afat kohor. Në këtë drejtim jo brenda 30 ditëve, por kuvendi është dashur që të konstituohet po atë ditë, më 15 prill, kur edhe është thirrë seanca e parë konstituive…Ne kemi qenë të hapur që të marrim pjesë në takimet që i ka ftuar presidentja Osmani, ndonëse deri më tani kemi pasur vetëm një takim dhe të tjerat do të ndodhin gjatë ditëve në vijim”, tha Haxhiu.
Kushtetuesja javën e kaluar ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve./KP/