Haskuka: Për zonat ekonomike të vendeve tjera ka investuar edhe Qeveria, në Prizren vetëm komuna

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se zona ekonomike e Prizrenit për të cilën po punohet tash e një kohë, po përballet me vështirësi për shkak të aspekteve pronësore.

Ai në DESKU të KTV-së ka thënë se në zonat e tjera në qytetet si në Drenas apo Vushtrri, ka investuar edhe qeveria, por sipas tij, në atë të Prizrenit investon vetëm komuna.

“Zonën ekonomike në Prizren paramendohet të jetë zona ekonomike më e madhe në Kosovë me 80 hektarë. Që nga dita e parë kemi caktuar një ekip që do punoj në realizimin e zonës ekonomike. Në shumicën e pjesëve, si në Drenas, Vushtrri, si vendet tjera ka investuar edhe qeveria, në komunën e Prizrenit, investon vetëm komuna, domethënë të gjitha fondet apo infrastruktura është bërë vetëm me buxhetin komunal që e kemi në drejtorinë e zhvillimit ekonomik. Ne jemi duke përfunduar të gjithë aspektin infrastrukturor, por për shkak të aspekteve pronësore, ku 40 hektarë tani janë të komunës, por 40 hektarë janë të Agjencisë së Privatizimit. Aty të gjitha procedurat i kemi përfunduar para dy viteve, jemi dy vite në pritje për transferin e pronës komunës, që ta shpallim zonë ekonomike”, tha ai.

Haskuka ka folur edhe për projekte të tjera, e për të cilat kishte premtuar gjatë zgjedhjeve lokale.

Ai ka përmendur shujtat nëpër shkolla, për të cilat thotë se kanë filluar por se për shkak të ankesave nga operatorët kanë mbetur prapa.

Kategoritë
LajmeVendi