Haradinaj-Stublla e deputeti Kamberi flasin për nevojat emergjente të shqiptarëve në Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot takoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të opozitës së bashkuar Shqiptare në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin.

Ministrja Haradinaj-Stublla tha se ishte nder i veçantë të takoj Kamberi, flamurtar i të drejtave të pamohueshme të shqiptarëve në Serbi dhe zë i fuqishëm i Luginës për barazi, drejtësi e të drejta të plota.

“Me z.Kamberi biseduam për nevojat emergjente të shqiptarëve në Luginë, për të drejtat e përfaqësimit politik në nivel lokal e qendror, për të drejtën për arsim në gjuhën amtare, për mundësi të rritjes profesionale e për ushtrim të lirë të ndjenjës kombëtare”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.

“Është e pakursyer dhe e vendosur përkrahja e Kosovës për Luginën dhe shqiptarët në Serbi, e përmes nismave të fundit, ne do t’u gjindemi bashkëkombasve tanë në këto ditë sfidash por edhe më tej”.

Kreydiplomatja Haradinaj-Stublla tha po ashtu se është e palëkundshme puna e përbashkët për koordinim të platformës shqiptare për të drejta të barabarta e zhvillim të Medvegjës, Preshevës e Bujanovcit.

Duke shprehur gatishmërinë e plotë për të ndërtuar ura më të forta bashkëpunimi në funksion të koordinimit të veprimeve në të mirë të shqiptarëve në Luginë, shefja e diplomacisë kosovare tha se Kosova është e vendosur për të vulosur drejtësinë jo vetëm për popullin dhe qenësinë e saj, por edhe për bashkëkombasit e saj që jetojnë në Serbi.

Duke i dhuruar librin emblematik të ish ushtares së UÇK-së dhe zëdhënëses së Zonës Operative të Dukagjinit të ndjeres Fetnete Ramosaj me titull ‘KUNDËR HARRESËS: Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999’, si dhe ornamentin e punuar nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, Ministrja i premtoi z.Kamberi se do vazhdojë të jetë zë i fuqishëm në avokimin e së vërtetës së shqiptarëve.

Kategoritë
LajmeVendi