Hakimi më në fund theu heshtjen dhe iu përgjigj akuzave për përdhunim

Mbrojtësi i djathtë i PSG-së dhe përfaqësuesi i Marokut, Achraf Hakimi (26), për herë të parë ka folur publikisht lidhur me akuzat për përdhunim që ekzistojnë ndaj tij që nga viti 2023.

Në një intervistë për televizionin francez Canal+, Hakimi hodhi poshtë me vendosmëri të gjitha pretendimet.

“E di që akuzat kundër meje janë gënjeshtër. E di kush jam, e di që nuk kam bërë asgjë dhe që kurrë nuk do të bëja diçka të tillë. Gjithmonë kam qenë në dispozicion të policisë, madje i kam lutur të bisedonin me mua. Morën edhe ADN-në time. Ndryshe nga personi që më akuzoi, unë gjithmonë jam vënë në dispozicion”, tha Hakimi.

Ai shtoi se e gjithë situata është veçanërisht e dhimbshme për familjen e tij: “Nuk kam përjetuar kurrë diçka të ngjashme. Është e vështirë për mua, por edhe më e rëndë për të mitë. Shkrimi i gënjeshtrave dhe thashethemeve lëndon, sidomos familjen time. Fëmijët e mi janë ende të vegjël dhe nuk dinë të lexojnë, por një ditë do të shohin çfarë është shkruar për babain e tyre. Kjo është e dhimbshme dhe nuk do t’ia dëshiroja askujt”, u shpreh ai me sinqeritet.

Hakimi theksoi gjithashtu se pas këtyre ngjarjeve ka ndryshuar mënyrën e jetesës së tij: “Rrethi im i miqve tani është aq i vogël sa pothuajse nuk lejoj më askënd brenda tij”, deklaroi ai, të cilin shumëkush e konsideron si mbrojtësin e djathtë më të mirë në botë.

Kujtojmë: Akuzat për përdhunim datojnë nga shkurti i vitit 2023, kur një grua 24-vjeçare pretendoi se Hakimi e kishte detyruar në një akt seksual në shtëpinë e tij në periferi të Parisit, Boulogne-Billancourt. Ajo e raportoi rastin në polici të njëjtën mbrëmje, ndonëse fillimisht nuk paraqiti padi formale.

Policia franceze hapi hetim, ndërsa në gusht 2025 prokuroria kërkoi që Hakimit t’i gjykohet. Në rast dënimi, atij i rrezikon një burgim deri në 15 vjet. Ekipi i tij i avokatëve ka paralajmëruar se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e tij.

Kategoritë
Sport