Pas kryebashkiakut të Stambollit, për deklaratën e ministrit të Jashtëm izraelit foli edhe ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.
Në një koment në rrjetet sociale, Fidan ka hedhur një sërë akuzash ndaj ministrit të Jashtëm izraelit, Israel Katz.
“Është një sëmundje e plotë që Israel Katz, në vend që të jetë ministër i Punëve të Jashtme, vazhdimisht e bën vendin tonë dhe presidentin tonë subjekt të deluzioneve të tij”, tha Fidan.
Ai tha gjithashtu se qeveria e Netanyahut është gjenocidale.
“Ky person, prania e të cilit në kabinet përbëhet nga një obsesion me shpifje dhe gënjeshtra, është një monument i guximit dhe paturpësisë së qeverisë gjenocidale të Netanyahut”, tha Fidan.
Kujtojmë se Katz tha se Erdogan po e kthen Turqinë në diktaturë.
“Dhe kjo është vetëm për shkak të mbështetjes së tij për vrasësit dhe përdhunuesit nga Hamasi, kundër pozicionit të të gjithë botës së lirë. Erdogan bllokon Instagramin me 57 milionë përdorues në Turqi, ndalon transmetimet sportive sepse një atlet izraelit mundi një turk, kërcënon se do të pushtojë një vend demokratik dhe ndërpret marrëdhëniet tregtare duke shkaktuar dëme tek eksportuesit turq prej gjashtë miliardë dollarësh në vit”, tha Katz.
Ai tha gjithashtu se presidenti turk po e shkatërron vendin. “Erdogan po merr shtetin turk me aftësi shkencore, kulturore, teknologjike dhe ekonomike dhe po e shkatërron atë, duke gërryer trashëgiminë e Ataturkut, i cili ndërtoi një Turqi progresive dhe të begatë”, tha ai.
Në fund, që është ndoshta edhe më interesante, Katz ka theksuar se shpreson për ditë më të mira dhe në këtë pjesë të postimit ka etiketuar edhe kryetarin aktual të Stambollit, Ekrem Imamoglu.