“Forcat Huthi shënjestruan aeroportin ‘Ben Gurion’ me raketë balistike hipersonike”, tha zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree duke shtuar se “sulmi e arriti me sukses qëllimin e tij”
Grupi Huthi i Jemenit tha sot se ka shënjestruar aeroportin “Ben Gurion” të Izraelit në Tel Avivi me një sulm me raketa, sulmi i tretë i tillë brenda 24 orëve, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree njoftoi operacionin në një deklaratë televizive të transmetuar nga krahu mediatik i grupit.
“Forcat Huthi shënjestruan aeroportin ‘Ben Gurion’ me raketë balistike hipersonike”, tha Saree duke shtuar se “sulmi e arriti me sukses qëllimin e tij”.
Sulmi bëri që “miliona kolonë sionistë të iknin në strehimore dhe ndaloi operacionet e aeroportit”, shtoi ai.
Njoftimi pasoi një deklaratë të mëparshme nga Izraeli që konfirmoi pritjen e një rakete që ata thanë se ishte lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit qendror.
Izraeli tani ka raportuar pritjen e tri raketave nga Jemeni që nga e enjtja në mëngjes ndërsa Huthit thanë se kishin kryer sulme të shumta me raketa ndaj Izraelit, përfshirë dy sulme të njëpasnjëshme me raketa balistike në aeroportin “Ben Gurion” pranë Tel Avivit.
Zyrtarët izraelitë nuk kanë raportuar ndonjë viktimë ose dëm si rezultat i sulmeve.
Në javët e fundit, grupi Huthi ka shtuar sulmet me raketa dhe dronë kundër objektivave izraelite në përgjigje të luftës vdekjeprurëse izraelite në Gaza që ka lënë gati 53.800 palestinezë të vrarë.
Më 6 maj, presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një marrëveshje armëpushimi me Huthit me ndërmjetësim të Omanit, një veprim që zyrtarët izraelitë thuhet se e kanë përshkruar si “befasues”.