Aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg shprehu të shtunën në Sarajevë mbështetjen për palestinezët duke lexuar së bashku me aktivistë vendorë emrat e fëmijëve të vrarë në Rripin e Gazës.
Në vendin e njohur si “Flaka e Përjetshme” në qendër të qytetit u vendosën pankarta solidariteti me Palestinën: “Jemi kundër gjenocidit në Gaza”, “Solidaritet me popullin palestinez” dhe “Pranë viktimave, jo kriminelëve.”
Thunberg ishte deportuar kohët e fundit nga Izraeli pasi u përpoq të sillte ndihma humanitare në Gaza. Ajo theksoi se lufta për klimën është e lidhur ngushtë me luftën kundër padrejtësisë, autoritarizmit dhe “fashizmit vdekjeprurës.”
Vizita në Sarajevë është pjesë e turneut të saj në Evropën Juglindore; më parë ajo ka qenë në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, dhe pas Bosnjë‐Hercegovinës do të shkojë edhe në Kroaci.