Aktivistja suedeze Greta Thunberg iu bashkua të martën nxënësve të shkollave të mesme në Francë, të cilët po kërkojnë kushte më të mira për mësim, në prag të protestave të reja në mbarë vendin.
23-vjeçarja Thunberg, e cila u bë e njohur që në adoleshencë për protestat shkollore në mbrojtje të klimës, qëndroi mes nxënësve para gjimnazit Paul Éluard në Saint-Denis, periferia më e madhe e Parisit. Avokatë të veshur me toga formuan një “zinxhir njerëzor” për të mbrojtur të rinjtë, pas akuzave të shumta për brutalitet policor.
“Të rinjtë nuk janë të përfshirë në bisedime. Po na merret e ardhmja”, tha Thunberg për agjencinë AFP.
Mobilizimi mbështetet nga sindikatat dhe partia e majtë opozitare Franca e Panënshtruar, ndërsa për në mesditë ishte paralajmëruar një marshim nëpër Paris, si dhe protesta në qytete të tjera.
Të enjten e kaluar, mbi 70 mijë persona dolën në rrugë. Ishte tubimi i fundit i madh i një lëvizjeje protestuese që nisi në fund të shtatorit.
Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, deklaroi për France Inter se rreth 200 shkolla ishin mbyllur, më pak se javën e kaluar. Në rajonin e Parisit, nxënësit bllokuan hyrjet e disa shkollave para agimit, ndërsa në Marseille nxënësit vendosën kontejnerë për të bllokuar hyrjen në gjimnazin e tyre.
Nxënësit kërkojnë që qeveria të zgjidhë problemin e mungesës së madhe të mësimdhënësve, objekteve të amortizuara dhe orareve të mbingarkuara.
Që nga shtatori, ata kanë bllokuar hyrjet e qindra prej gjithsej 3.700 gjimnazeve franceze, të cilat ndiqen kryesisht nga nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç. Ata kërkojnë gjithashtu 10 miliardë euro investime shtesë për këto shkolla.
Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por herë pas here janë shënuar përplasje me policinë. Ministria e Arsimit njoftoi se të hënën u plagosën tetë punonjës shkollash, kryesisht në Paris, Bordeaux dhe Lyon.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, që nga fillimi i protestave më shumë se 6.800 persona janë ndaluar, shumica prej tyre të mitur. Policia ka nisur hetime të brendshme për 24 raste të raportuara të brutalitetit ndaj protestuesve.
Presidenti Emmanuel Macron u bëri thirrje demonstruesve për përmbajtje, duke deklaruar se këto çështje kërkojnë kohë, konsultime dhe dialog.
Pas protestave të javës së kaluar, qeveria premtoi rreth 3.000 mësimdhënës zëvendësues për 114 gjimnazet më të prekura, ndërsa sipas ministrit, 35 për qind e tyre tashmë janë sistemuar.
Pas protestave në mbështetje të nxënësve, për të shtunën janë paralajmëruar protesta më të gjera kundër rritjes së kostos së jetesës.
