“Greqia dyfishon ujërat territoriale në Detin Jon”

Sipas të përditshmes “Proto Thema” dekreti thotë se qeveria greke rezervon të drejtën për të ushtruar të drejta të ngjashme në rajone të tjera.

Një dekret i diskutueshëm që dyfishon ujërat territoriale të Greqisë në brigjet e saj perëndimore, përballë ‘thembrës’ së Italisë dhe Kretës, nga 6 në 12 milje detare është miratuar nga Gjykata Supreme e vendit, njoftuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të përditshmes greke “Proto Thema”, dekreti, gjoja i përgatitur në bazë të Konventës Ndërkombëtare mbi Ligjin e Detit (UNCLOS), mbulon zonën detare nga ishujt e Detit Jon në Kepin Tenaro në skajin jugor të Peloponezit.

Sipas të përditshmes dekreti thotë se qeveria greke rezervon të drejtën për të ushtruar të drejta të ngjashme në rajone të tjera.

Në gusht, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se qeveria planifikon të paraqiste një projekt-ligj për të dyfishuar ujërat territoriale të Greqisë në Detin Jon.

“Në të ardhmen Greqia mund të shtrijë ujërat e saj territoriale në zona të tjera detare”, shtoi ai.

Në mesin e viteve 1990, Greqia në mënyrë të ngjashme u përpoq të zgjeronte ujërat e saj territoriale në Detin Egje në 12 milje, por plani u prish pasi Turqia deklaroi se një lëvizje e tillë do të ishte një “Casus Belli” (shkak për luftë).

Kategoritë
BotaLajme