Gjykata në Vjenë e shpalli të pafajshëm Sebastian Kurzin – për këtë çështje dha dorëheqje dhe u tërhoq nga politika

Me vendim të Senatit të Gjykatës Rajonale të Lartë në Vjenë, ish-kancelari i Austrisë Sebastian Kurz është zyrtarisht shpallur i pafajshëm në rastin ku akuzohej për dëshmi të rreme para komitetit parlamentar austriak në lidhje me çështjen “Ibiza”.

Sipas mediave austriake, Kurz nuk ka dhënë dëshmi të rreme kur ka folur për përzgjedhjen e bordit mbikëqyrës të kompanisë shtetërore OBAG.

Megjithatë, dënimi për shefin e kabinetit të tij, Bernhard Bonelli, mbeti në fuqi. Ai është dënuar me gjashtë muaj burg, ndërsa vetë Kurz, sipas një vendimi që tani është shpallur i pavlefshëm, ishte dënuar më parë me tetë muaj burg me kusht.

Kujtojmë se për shkak të këtij rasti, Sebastian Kurz – dikur kancelar i Austrisë dhe lider i partisë konservatore ÖVP – dha dorëheqje nga politika.

Pas shpalljes së aktgjykimit, ai shprehu kënaqësinë e tij dhe tha se “të gjitha akuzat janë rrëzuar”, por gjithashtu u shpreh i keqardhur për faktin se ish-shefi i kabinetit të tij dhe “miku i mirë”, siç e quajti ai, u dënua.

“Gjithçka ishte ashtu siç e kam thënë që nga fillimi,” deklaroi ish-kancelari austriak.

Vendimi u mirëprit edhe nga partia ÖVP. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Nico Marchetti, në një deklaratë tha se partia “gjithmonë ka besuar në pafajësinë e Kurzit.”

Megjithatë, vlen të theksohet se ndaj Kurzit vazhdon ende një hetim tjetër lidhur me skandalin “Ibiza”, kur partnerët e tij të koalicionit nga partia ekstremiste e djathtë FPÖ, i ofruan një personi që paraqitej si biznesmene ruse projekte publike në këmbim të “prezantimit pozitiv” në media.

Kategoritë
BotaLajme