Khalid Sheikh Mohammed, bashkëpunëtor i afërt i Osama bin Ladenit dhe i konsideruar arkitekti i sulmeve të 11 shtatorit, u kap më 1 mars 2003 në Pakistan dhe u transferua në qendrën famëkeqe të paraburgimit në Gjirin e Guantánamos. Në një vendim të premten, një kolegj i ndarë i Gjykatës Federale të Apelit, me seli në Uashington, hodhi poshtë marrëveshjen që do t’i lejonte të pandehurit të pranojë fajin për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, duke e shpëtuar atë nga rreziku i dënimit me vdekje.
Vendimi i këtij kolegji anulon një përpjekje dyvjeçare për të mbyllur mbi dy dekada ndjekjeje penale ushtarake, e njohur për sfidat ligjore dhe logjistike. Ai sinjalizon se nuk do të ketë një përfundim të shpejtë të betejës së gjatë të ushtrisë amerikane dhe administratave të njëpasnjëshme për të sjellë para drejtësisë njeriun e akuzuar për organizimin e njërit prej sulmeve më vdekjeprurës në tokën amerikane.
Marrëveshja, e negociuar dy vjet, kishte marrë miratimin e prokurorëve ushtarakë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit. Ajo parashikonte dënime me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht për Mohammedin dhe dy të tjerë të akuzuar për keqtrajtim të paraburgosurve në Gjirin e Guantánamos.
Mohammed akuzohet se organizoi dhe orkestroi komplotin për rrëzimin e avionëve të rrëmbyer mbi Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagon, ndërsa avioni i tretë rrëmbyer u rrëzua në një fushë në Pensilvani.
Familjarë dhe të afërm të viktimave të sulmeve u ndanë mbi marrëveshjen e pranimit të fajësisë: disa e kundërshtuan duke argumentuar se një gjyq i plotë është mënyra më e mirë për të kërkuar drejtësi dhe për të zbuluar më shumë detaje për këtë ngjarje terroriste, ndërsa të tjerë e panë si shpresën më të mirë për të mbyllur një rast të dhimbshëm pas më shumë se 20 vjetësh dhe për të marrë përgjigje nga përgjegjësit për sulmet.
Marrëveshja do t’i detyronte të akuzuarit të përgjigjeshin për çdo pyetje të mbetur që familjarët e viktimave kanë për tragjedinë, në të cilën sipas FBI-së u vranë afërsisht 3,000 veta.
Ish-Sekretari i Mbrojtjes në administratën e Bidenit, Lloyd Austin, hodhi poshtë marrëveshjen, duke deklaruar se vendimi për dënimin me vdekje për një sulm me peshë të 11 shtatorit duhet të merret vetëm nga Sekretari i Mbrojtjes. Avokatët e të pandehurve argumentuan se marrëveshja ishte tashmë në fuqi ligjore dhe se Austin kishte vepruar vonë për ta tërhequr atë. Një gjykatës ushtarak në Guantánamo dhe një këshill apeli ushtarak ishin në mbështetje të këtyre avokatëve.
Megjithatë, me një votë 2–1, Gjykata e Apelit të Qarkut të Columbia vendosi se Austin veproi brenda kompetencave të tij dhe rrëzoi vendimin e gjykatësit ushtarak. Kolegji kishte pezulluar më parë ekzekutimin e marrëveshjes, duke shqyrtuar apelimin e parë të administratës së Bidenit, i cili vazhdoi nën Donald Trump.