Sipas një ankete të publikuar gjerësisht, 44 për qind e kanadezëve do ta mbështesnin anëtarësimin e Kanadasë në Bashkimin Evropian. Sigurisht, kjo gjë është shumë pak e mundshme që të ndodhë ndonjëherë, por çfarë do të ndodhte nëse një mbështetje e tillë do të bëhej një shumicë e qëndrueshme në Kanada dhe të paraqitej një kërkesë për anëtarësim?
Portali Prospect thekson se pika fillestare është neni 49 i Traktatit të Bashkimit Evropian, i cili përfaqëson bazën hyrëse për anëtarësim (në kontrast me nenin 50, që ishte qendror në procesin e Brexit-it). Neni 49 thotë:
“Çdo shtet evropian që respekton vlerat e përmendura në nenin 2 dhe është i përkushtuar ndaj promovimit të tyre mund të paraqesë kërkesë për anëtarësim në Union. Parlamenti Evropian dhe parlamentet kombëtare do të njoftohen për këtë kërkesë. Shteti që paraqet kërkesën e drejton atë te Këshilli, i cili vendos njëzëri pas konsultimeve me Komisionin dhe pasi të marrë miratimin e Parlamentit Evropian, i cili vendos me shumicën e anëtarëve të tij. Kushtet e pranimit dhe përshtatjet në traktatet mbi të cilat bazohet Unioni do të jenë objekt i një marrëveshjeje ndërmjet shtetit aplikues dhe shteteve anëtare, e cila duhet të ratifikohet sipas kërkesave kushtetuese të secilit shtet.”
Ky nen i referohet nenit 2, i cili përcakton vlerat bazë të Bashkimit Evropian si: dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut – përfshirë të drejtat e pakicave.
Po çfarë është një “shtet evropian”?
Në pamje të parë, duket e qartë që anëtarësimi në BE është i kufizuar për shtetet evropiane. Por kjo nuk është aq e thjeshtë sa duket.
Për shembull, përpara vitit 1985, Grenlanda – përmes Danimarkës – ishte pjesë e Komunitetit Ekonomik Evropian (paraardhësi i BE-së), ndonëse ndodhet në pllakën kontinentale të Amerikës së Veriut. Po ashtu, BE-ja njeh nëntë “rajoni më të largëta”, disa prej të cilave ndodhen në Oqeanin Indian, dhe gjithashtu ka 13 territore përtej detit që kanë marrëdhënie të veçanta me BE-në – përfshirë Saint-Pierre-et-Miquelon, që ndodhet shumë pranë bregdetit të… Kanadasë.
Kipri është një tjetër shembull – anëtare e plotë e BE-së, ndonëse gjeografikisht ndodhet në Azinë Perëndimore. Kjo tregon se kriteri “evropian” nuk është domosdoshmërisht gjeografik, por shpesh identitar dhe politik.
Kanadaja si kandidate për BE?
Në dallim nga Qipro, Kanadaja nuk identifikohet as politikisht dhe as kulturalisht si një vend evropian. Ajo është pjesë e Amerikës së Veriut, si SHBA-të dhe Meksika. Do të ishte shumë e vështirë të argumentohej në mënyrë bindëse që Kanada është “shtet evropian”.
Megjithatë, nëse Kanadaja do të paraqiste zyrtarisht një kërkesë për anëtarësim, reagimi i BE-së do të ishte thelbësor. Kur Maroku kërkoi të anëtarësohej në Komunitetin Ekonomik Evropian, u refuzua për shkak se nuk ishte vend evropian – megjithëse nuk ekziston një dokument publik që e vërteton qartë këtë. Nga ana tjetër, Turqia, ndonëse gjeografikisht në masë të madhe jashtë Evropës, arriti larg në procesin e anëtarësimit, para se negociatat të dështojnë për arsye të tjera.
Pra, problemi është më shumë politik se juridik
Nëse Kanadaja vërtet do të kërkonte anëtarësim, dhe nëse shtetet anëtare do të binin dakord, atëherë do të gjendej një mënyrë. Termi “shtet evropian” mund të rikonceptohej ose përfshihej përmes ndonjë interpretimi fleksibël ose përmes ndryshimeve të traktateve të BE-së.
Por pyetja e vërtetë është: a do të donte Kanadaja të harmonizonte sistemin e saj politik dhe ekonomik me Bashkimin Evropian? Do të kërkohej përafrimi me të ashtuquajturin “acquis communautaire” (legjislacioni i BE-së), pjesëmarrje në tregun unik dhe unionin doganor, ndoshta edhe adoptimi i euros.
Në fund të fundit, pengesat kryesore janë politike dhe ekonomike. Kanadaja ka lidhje të forta tregtare me SHBA-të, fqinjët e saj të drejtpërdrejtë, dhe një anëtarësim në një bllok tregtar përtej Atlantikut do të ishte sfidues.
Një alternativë më realiste
Megjithëse anëtarësimi i Kanadasë në BE është i mundur teorikisht me ndryshime të traktateve, shumë më realist do të ishte krijimi i një forme të re bashkëpunimi të zgjeruar mes BE-së dhe vendeve si Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Islanda, madje edhe Grenlanda. Ky format do të mund të formalizohej si një entitet i ri, jashtë strukturës së ngushtë të BE-së, por i lidhur ngushtë me të – dhe pa qenë e nevojshme të diskutohet nëse “Kanadaja është evropiane” apo jo.