Sipas Axios, liderët e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë kundër një sulmi ndaj impianteve bërthamore iraniane gjatë vizitës së fundit të presidentit Trump dhe e kanë inkurajuar atë të vazhdojë të insistojë për një marrëveshje të re bërthamore.
Arabia Saudite, Emiratet dhe vendet e tjera të Gjirit ishin kundër marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Tani ato janë ndër përkrahësit më të zjarrtë të diplomacisë.
Në atë kohë, sauditët dhe Emiratet mbështetnin në heshtje luftën publike të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kundër presidentit të atëhershëm Obama për marrëveshjen me Iranin dhe kërcënimet e tij për sulm ushtarak.
Tani ata janë të shqetësuar se Netanyahu mund të marrë vendimin për sulm ose se Trump mund të heqë dorë nga bisedimet dhe të zgjedhë vetë opsionin ushtarak.
Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, presidenti i Emirateve Mohammed bin Zayed dhe emiri i Katarit, Tamim al-Thani, i kanë thënë Trumpit se janë të shqetësuar se nëse impiantet bërthamore iraniane sulmohen, vendet e tyre do të jenë në shënjestër të hakmarrjes iraniane. Të tre këto vende janë mikpritëse të bazave ushtarake amerikane.
Një burim me njohuri të drejtpërdrejtë ka deklaruar se al-Thani i ka thënë Trumpit se vendet e Gjirit do të preken më shumë se kushdo tjetër në një skenar të tillë.
Sauditët dhe katarezët kanë shprehur shqetësim të veçantë për një sulm ushtarak izraelit ndaj Iranit, ndërsa Emiratet kanë theksuar se preferojnë një zgjidhje diplomatike.
Të tre liderët kanë shprehur mbështetje për negociatat e Trumpit, sipas zyrtarëve amerikanë. Zyrtarët sauditë, katarezë dhe nga Emiratet kanë refuzuar të komentojnë.
Trumpi të mërkurën konfirmoi se gjatë një telefonate javën e kaluar i kishte bërë thirrje Netanyahut të mos urdhërojë një sulm ndaj impianteve bërthamore iraniane, siç raportoi i pari Axios.
Ai tha se beson që kriza bërthamore me Iranin mund të zgjidhet me një “dokument shumë të fuqishëm”, i cili mund të nënshkruhet brenda dy javësh.
Trump kishte shqyrtuar edhe mundësinë që gjatë udhëtimit të tij të njoftonte se SHBA do ta quajë Gjirin Persik si “Gjiri Arabik”, por përpara nisjes kishte thënë se nuk donte të “lëndonte ndjenjat e askujt”.
Në fund, ai e la pas dore këtë ide. Dy zyrtarë arabë thanë se arsyeja ishte mungesa e konsensusit midis vendeve të Gjirit, pasi disa prej tyre ndjenin se kjo do të krijonte tensione të panevojshme me Iranin.
Sauditët dhe Emiratet janë më pak të shqetësuar për aktivitetet rajonale të Iranit sesa ishin gjatë bisedimeve të Obamës në vitin 2015, të cilat i kundërshtuan pjesërisht sepse nuk ishin konsultuar paraprakisht. Prioriteti i tyre tani është ruajtja e stabilitetit rajonal dhe përqendrimi në rritjen ekonomike.
Arabia Saudite ka filluar gradualisht të normalizojë marrëdhëniet me Iranin gjatë dy viteve të fundit. Edhe Emiratet po rikthejnë bashkëpunimin me Iranin për të ulur tensionet.
Vizita e pazakontë muajin e kaluar në Teheran e ministrit saudit të Mbrojtjes, Khalid bin Salman, gjatë së cilës u takua me liderin suprem Ali Khamenei, kishte për qëllim të sinjalizonte se mbretëria është kundër një sulmi ushtarak ndaj programit bërthamor iranian, tha një ish-zyrtar amerikan.