Gjermania thotë se BE-ja do të diskutojë sanksione të mundshme ndaj kolonëve radikalë izraelitë

“Ne mirëpresim që SHBA-ja ka miratuar një qëndrim të qartë, ashtu siç kemi bërë ne, dhe tani do të marrë masa konkrete në formën e kufizimeve të hyrjes”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Sebastian Fischer

Gjermania njoftoi se vendet anëtare të BE-së do të diskutojnë sanksione të mundshme ndaj kolonëve radikalë izraelitë, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i MPJ-së gjermane tha në një konferencë për media në Berlin se çështja do të diskutohet gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së javën e ardhshme.

“Ne mirëpresim që SHBA-ja ka miratuar një qëndrim të qartë, ashtu siç kemi bërë ne, dhe tani do të marrë masa konkrete në formën e kufizimeve të hyrjes”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Sebastian Fischer.

“Është e rëndësishme që ky debat të avancohet edhe në nivel evropian. Ne po e bëjmë këtë dhe do të përfshihemi aktivisht në këto diskutime gjatë Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të hënën e ardhshme”, shtoi ai.

Dje, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se po përgatitej të vendoste ndalimin e vizave për kolonët radikalë izraelitë që kanë kryer dhunë në Bregun Perëndimor të okupuar.

Sipas burimeve palestineze, sulmet e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të okupuar janë rritur që nga 7 tetori. Ekstremistët mes kolonëve kanë kryer mbi 300 sulme, duke vrarë të paktën nëntë palestinezë në dy muajt e fundit.

Metodat e përdorura nga kolonët ekstremistë janë të ndryshme, nga të shtënat me municion të vërtetë, deri te rrahja, gurëzimi i automjeteve dhe sulmi ndaj shtëpive, familjeve dhe fermerëve.

Kategoritë
BotaLajme