Gjermania ndryshon rrënjësisht politikat: Hiqet mundësia për marrjen e shpejtë të shtetësisë dhe ndalohet bashkimi familjar

Qeveria gjermane planifikon që javën e ardhshme të fillojë zbatimin e marrëveshjes së koalicionit që parashikon ashpërsimin e ligjeve të imigracionit, duke përfshirë heqjen e procedurës së përshpejtuar për marrjen e shtetësisë gjermane dhe ndalimin e bashkimit familjar për personat me mbrojtje subsidiare.

“Deri më tani, rreth 1000 persona në muaj kanë hyrë në Gjermani përmes programit të bashkimit familjar. Kjo do të marrë fund,” deklaroi ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt (Unioni Social-Kristian – CSU) për të përditshmen Bild.

Ai shpjegoi se gjatë mbledhjes së kabinetit të së mërkurës, qeveria do të miratojë ndryshimet ligjore të dakorduara në marrëveshjen e re të koalicionit mes CDU/CSU dhe SPD-së, që përfshijnë:

  • Ndalimin e programit të bashkimit familjar për përfituesit e mbrojtjes subsidiare;
  • Shfuqizimin e ligjit të ri që lejonte marrjen e shtetësisë pas vetëm tre vitesh qëndrimi.

Çfarë është mbrojtja subsidiare?

Mbrojtja subsidiare u jepet atyre që nuk marrin azil, por që nuk mund të dëbohen sepse rrezikojnë ndjekje penale ose kërcënim për jetën në vendin e origjinës. Megjithatë, me përfundimin e luftës ose rënien e rrezikut, kjo mbrojtje pushon së vlefshmi.

Ndalimi i bashkimit familjar do të zgjasë fillimisht për dy vjet.

Rigorozitet në kufi dhe kritika nga opozita

Dobrindt, sapo mori detyrën në fillim të muajit, vendosi kontrolle më të rrepta kufitare dhe kthimin mbrapsht të të gjithë personave që nuk posedojnë dokumente të vlefshme hyrjeje, përfshirë edhe ata që duan të aplikojnë për azil.

Këto masa kanë ngjallur reagime të ashpra nga opozita, veçanërisht nga partia e Gjelbër.

“Qeveria e re po bën politikë simbolike mbi kurrizin e më të dobëtëve dhe nuk heziton as të shkelë ligjin,” tha Schahina Gambir, zëdhënëse për çështje të brendshme e partisë së Gjelbër.

Për CDU/CSU dhe kancelarin Friedrich Merz, ulja drastike e imigracionit të parregullt është ndër prioritetet kryesore të qeverisë së re.

Kategoritë
BotaLajme