Gjermania kundër vendimit të Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve ilegale në Lartësitë e Golanit

“Ky rajon i kontrolluar nga Izraeli i përket Sirisë dhe se Izraeli është një fuqi pushtuese në Golan sipas ligjit ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Wagner

Gjermania ka reaguar ndaj vendimit të Izraelit për të zgjeruar vendbanimet ilegale në Lartësitë e Golanit, të cilat i ka pushtuar që nga viti 1967, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Christian Wagner bëri një vlerësim në lidhje me planin e qeverisë izraelite për zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme në Lartësitë e pushtuara të Golanit.

Ai tha se Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit në vitin 1967 dhe i aneksoi ato në vitin 1981. “Gjermania nuk e njeh këtë aneksim. Është plotësisht e qartë në aspektin e së drejtës ndërkombëtare se ky rajon i kontrolluar nga Izraeli i përket Sirisë dhe se Izraeli është një fuqi pushtuese në Golan sipas ligjit ndërkombëtar”, deklaroi Wagner.

Wagner tha se situata është e qartë për vendimin e marrë nga qeveria izraelite. “Vendosja e popullatës civile është në kundërshtim me ligjin e okupimit. Kjo del nga Konventa e Gjenevës. I bëjmë thirrje Izraelit të qëndrojë larg këtij synimi”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme