Gjermania i raporton një buxhet rekord ushtarak NATO-s

Gjermania i ka raportuar NATO-s një buxhet rekord ushtarak prej 53 miliardë eurosh për 2021, raportoi media gjermane sot.

Kjo është 3.2 për qind më shumë se vitin e kaluar, kur buxheti për ushtrinë arriti në 51.4 miliardë euro.

Në selinë e NATO-s në Bruksel shpresojnë që rritja e buxhetit të vendeve të tilla si Gjermania do të lehtësojë mosmarrëveshjen transatlantike mbi sasinë e alokimeve për mbrojtjen e përbashkët, raporton agjencia e lajmeve kroate Hina.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg kohët e fundit deklaroi se ai pret presion nga presidenti i ri amerikan edhe për këtë çështje.

Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të largohej nga Aleanca në vitin 2018 nëse anëtarët nuk i rrisin shpenzimet e NATO-s në dy për qind të bruto prodhimit vendor.

Vitin e kaluar, Gjermania la mënjanë 1.57 për qind të bruto prodhimit vendor, që është një rritje në krahasim me vitin 2019, kur ishte 1.36 për qind, por kjo rritje lidhet me rënien e ekonomisë si pasojë e krizës me koronavirus.

Online Spiegel publikoi një raport sot sipas të cilit Bundesveri nuk është “në gjendje të arrijë qëllimet e planifikuara të NATO-s për armët” për shkak të një mungese kronike parash.

Ministria e Mbrojtjes ka frikë se për shkak të zvogëlimit të buxhetit si pasojë e krizës së koronës, forcat ushtarake do të mbeten pa fondet e nevojshme, sipas Online Spiegel.

Në tekst thuhet se përfaqësuesit e Bundesverit kërkojnë një rritje të buxhetit për shkak të rritjes së rrezikut ushtarak nga Rusia dhe Kina, veçanërisht në fushën e kibernetikës.

Kategoritë
BotaLajme