Gjermania i dorëzohet reshjeve të mëdha të dëborës, dhjetëra shoferë të bllokuar në rrugë

Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e akullta po ndikojnë negativisht jetën në Gjermani.

Dëbora po bie pa pushim për 3 ditë radhazi në të gjithë vendin, megjithatë reshjet janë veçanërisht efektive në shtetin e Renanisë Veriore-Vestfalisë.

Me dhjetëra shoferë kaluan natën në automjetet e tyre, të bllokuar nga dëbora, në një autostradë në veriperëndim të Gjermanisë.

“Këta shoferë dhe drejtues kamionësh u bllokuan për rreth 37 kilometra në autostradën A2 pranë Bielefeld (Renani Veriore-Vestfali) për shkak të reshjeve të mëdha të borës në Gjermani për më shumë se 48 orë”, sipas policisë.

Disa kamionë dolën nga rruga për shkak të gjendjes së rrugës duke bërë që autostrada të mbyllej në të dyja drejtimet.

Shumica kanë kaluar rreth 16 orë në automjetet e tyre, në të ftohtë. Forcat e shpëtimit u siguruan atyre batanije dhe pije të nxehta.

“Do të duhet shumë kohë që bllokimi i trafikut të zbutet”, shtoi një zëdhënëse për qendrën e kontrollit të autostradave në rajon.

Shoferët ishin gjithashtu të bllokuar për një pjesë të natës në Gjermaninë Qendrore, në autostradën A4.

Ministri i Transportit, Andreas Scheuer, u bëri thirrje banorëve të Gjermanisë Veriore dhe Qendrore të shmangin daljet me makinë të paktën deri të mërkurën.

Ndërkohë, dëbora krijoi probleme të mëdha edhe në Dortmund.

Operatori i fluturimeve për Dortmundin tha se fluturimet e planifikuara do të devijoheshin në aeroportet e tjera.

“Ne po punojmë për të marrë situatën nën kontroll”, shkroi aeroporti në rrjetin social “Twitter”.

Departamenti i Meteorologjisë bëri me dije se reshje të dendura bore priten gjithashtu në shtetet e Hamburgut, Bavarisë dhe Baden-Vyrtembergut deri në fund të javës.

Kategoritë
BotaLajme