Ndërsa administrata e Trump-it vazhdon të synojë një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë – një marrëveshje që mund të jetë më e favorshme për Moskën sesa për Kievin – evropianët po përqendrohen për herë të parë pas dekadash në fuqinë e tyre ushtarake.
Askund nuk është kjo ndryshim kaq i theksuar sa në Gjermani. Forcat e armatosura gjermane, të njohura si Bundeswehr, kanë qenë viktimë e mungesës së investimeve për vite me radhë, por kjo është duke ndryshuar.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka vendosur që tani është momenti që Gjermania të investojë në ushtrinë e saj në nivele që nuk janë parë që nga Lufta e Ftohtë.
Gjermania ka miratuar një reformë të madhe të borxhit kushtetues, duke hapur rrugën për miliarda euro fonde. Një model që është ndarë me CNN-in sugjeron se gjatë një periudhe 10-vjeçare, me shpenzime prej 3.5% të PBB-së, mund të arrihet shifra prej 600 miliardë eurosh (652 miliardë dollarë).
A mund t’i besohet Vladimir Putinit?
“A mendoni se mund t’i besohet Putinit?”, pyeti gjenerali gjerman Ralf Hammerstein.
Kjo është një pyetje retorike për të cilën shumica e Evropës do të kishte të njëjtin përgjigje – jo.
Gazetarët e CNN-it kaluan një ditë me anëtarë të Bundeswehrit në një lokacion të panjohur në Gjermaninë qendrore, ku pesë vende aleate të NATO-s po merrnin pjesë në një stërvitje ushtarake. Simulimi përfshinte një sulm nga një “kundërshtar i huaj” ndaj një shteti tjetër anëtar të aleancës.
Duke folur nga një seli e improvizuar gjatë stërvitjes, Hammerstein i tha CNN-it:
“Gjermania është një komb i aftë në Evropë dhe duhet të jetë partner për kombet e tjera. Ne jemi një partner i përgjegjshëm dhe një komb i madh. Duhet të forcohemi, dhe këtë do ta bëjmë.”
“Zeitenwende” – Prej kthesës e deri te veprimi
Pushtimi i plotë i Ukrainës në shkurt të vitit 2022 ishte një moment sizmik për kontinentin. Lufta u rikthye dhe periudha e qetësisë pas rënies së Perdes së Hekurt përfundoi. Në Berlin nisi një epokë e re që në gjermanisht quhet “Zeitenwende” – një pikë kthese. Në thelb, ishte fillimi i përpjekjeve për të rritur sërish shpenzimet ushtarake.
Çfarë thotë raporti?
Që nga mesjeta e Luftës së Ftohtë, shpenzimet ushtarake gjermane si përqindje e PBB-së kanë rënë ndjeshëm. Nga një kulm prej 4.9% në vitin 1963, ranë në nivelin më të ulët në vitin 2005, vetëm 1.1%. Vitin e kaluar, Gjermania arriti për herë të parë në më shumë se 30 vjet pragun e NATO-s prej 2% për mbrojtjen.
Një raport i publikuar javën e kaluar thekson se Bundeswehri nuk i ka arritur objektivat e rekrutimit dhe ka pajisje të vjetruara, mungesë kazermash dhe infrastrukturë bazë. Në prezantimin e raportit, u tha se “Bundeswehri ende ka shumë pak nga gjithçka”.
Gjermania në vitin 2018 u zotua të rrisë trupat e saj aktive në 203,000 deri në vitin 2025, por ky afat është zhvendosur për në vitin 2031. Sipas të dhënave aktuale, Bundeswehri ka 181,174 trupa aktive.
Në raport theksohet gjithashtu se për projekte infrastrukturore nevojiten 67 miliardë euro, ndërsa kazermat dhe asetet e tjera përshkruhen si në gjendje katastrofale.
Rikthimi i Gjermanisë
Po ndryshon edhe psikologjia kombëtare: një sondazh i transmetuesit publik ARD nga muaji mars tregon se 66% e të anketuarve besojnë se është e drejtë të rriten shpenzimet për mbrojtjen dhe për Bundeswehrin, ndërsa 31% janë për mbajtjen e njëjtë ose uljen e tyre.
Merz është nisur drejt një “rikthimi” të fuqishëm të Gjermanisë dhe është i bindur se po e vendos vendin në rrugën e duhur drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë.
“Gjermania është rikthyer. Gjermania po jep një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e lirisë dhe paqes në Evropë”, deklaroi ai në Berlin shtatë ditë më parë.