Rusia për kontrabandimin e naftës në tregjet e treta përmes deteve evropiane përdor të ashtuquajturën “flotë në hije”, pra tankerë pa shenja shtetërore, për çka është krijuar koalicioni detar suedezo-gjerman për rritjen e kontrollit në Detin Baltik.
Zyrtarisht, prej 1 korrikut Gjermania nis një mekanizëm të ri për rregullimin e transportit detar në Detin Baltik në bashkëpunim me Suedinë. Sipas planit gjerman, përpjekjet do të përqendrohen në anijet pranë Fehmarnit, ishullit gjerman që është kyç për rrugën detare.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se synimi është të ushtrohet presion mbi “flotën në hije”, por jo në mënyrën si vepruan Estonia dhe Finlanda, duke ndaluar anijet.
“Qëllimi ynë është shumë i qartë: Do të forcojmë presionin ndaj flotës sekrete ruse dhe do të mbrojmë ekosistemin e Detit Baltik,” deklaroi Wadephul.
Në janar 2025, Gjermania ndërmori masa më të drejtpërdrejta, duke ndaluar tankerin Eventin, që fluturonte nën flamurin e Panamasë. Nga hetimi dhe verifikimi i dokumentacionit u zbulua se ai ishte pjesë e flotës ruse të kontrabandës së naftës.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, njoftoi të hënën se vendi do të dërgojë forcat e veta detare edhe në ujërat e Arktikut, për shkak të pranishmërisë së shtuar të flotës ruse në atë rajon.
“Kërcënimet detare po rriten, si p.sh. militarizimi i fuqishëm i Arktikut nga Rusia. Po vërejmë gjithashtu një aktivitet të shtuar të nëndetëseve ruse që operojnë atje,” tha Pistorius.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse njoftojnë se do të forcojnë mbrojtjen e anijeve të flotës së tyre tregtare, për çka tankeret ruse tani shoqërohen më shpesh nga anijet e flotës baltike të marinës luftarake ruse.