Gjermania bën thirrje për hapa urgjente për të shmangur urinë në Gaza

“Ne presim që ata të ofrojnë ndihmë më të mirë humanitare për popullsinë në Gaza, vuajtjet e të cilëve i shohim, veçanërisht ato të fëmijëve, grave dhe të moshuarve”, tha Merz

Gjermania ka bërë thirrje për hapa urgjente për të parandaluar një uri akute në Gaza mes bllokadës së vazhdueshme të Izraelit ndaj shpërndarjes së ndihmës humanitare për palestinezët, transmeton Anadolu.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë fjalës së tij në parlament tha se qeveria e tij mbetet një mbrojtëse e fortë e sigurisë së Izraelit dhe operacioneve izraelite kundër Hamasit, por gjithashtu theksoi nevojën për të ofruar më shumë ndihmë humanitare për palestinezët.

“Ne presim që ata të ofrojnë ndihmë më të mirë humanitare për popullsinë në Gaza, vuajtjet e të cilëve i shohim, veçanërisht ato të fëmijëve, grave dhe të moshuarve”, tha Merz.

“Sot morëm lajme se një uri akute mund ta kërcënojë Gazën. Është një detyrim humanitar i të gjithë të përfshirëve dhe e theksoj i të gjithë të përfshirëve, që uria në rajon të shmanget sa më parë”, theksoi ai.

Që nga 2 marsi, Izraeli i ka mbajtur të mbyllura për ushqim, ndihmë mjekësore dhe humanitare kalimet e Gazës, duke thelluar krizën humanitare në enklavë.

Kufizimet e ashpra të Izraelit mbi furnizimet thelbësore kanë lënë më shumë se 2 milionë palestinezë në kushte të dëshpëruara, duke i nënshtruar ata ndaj asaj që organizatat ndërkombëtare e përshkruajnë si një akt të qëllimshëm të ndëshkimit kolektiv.

Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 52.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza gjatë ofensivës ushtarake të vazhdueshme të Izraelit.

Qeveria izraelite përmendi sulmin e Hamasit më 7 tetor të vitit 2023 si justifikim për të nisur fushatën e saj ushtarake. megjithatë organizata të shumta të të drejtave të njeriut e kanë dënuar ofensivën izraelite, duke e karakterizuar atë si një fushatë sistematike që synon spastrimin etnik.

Izraeli përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në Gaza. Gjykata Ndërkombëtare Penale nëntorin e kaluar lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kategoritë
BotaLajme