Gjermani, policia drejton armët mbi aktivistët që donin të protestonin kundër kompanisë “Rheinmetall”

“Rheinmetall do të prodhojë këtu municione për një shtet që po kryen pa mëshirë gjenocid në Palestinë dhe Liban dhe po sulmon Iranin në shkelje të ligjit ndërkombëtar”, tha Emma Dorow, anëtare e grupit.

Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, policia drejtoi armët mbi aktivistët mbështetës të palestinezëve që donin të protestonin kundër kompanisë “Rheinmetall”, transmeton Anadolu.

Sipas pamjeve të postuara në llogaritë e mediave sociale të grupit Paqësisht Kundër Gjenocidit (Peacefully Against Genocide), policia nxori armët dhe detyruan të dilnin nga automjeti dy aktivistë që mbërritën me një furgon përpara uzinës “Rheinmetall” në lagjen Wedding, ku thuhet se municionet për Izraelin do të prodhohen në mesin e këtij viti.

Në video shihet se si policia urdhëroi aktivistët të ngrinin duart lart dhe të qëndronin pranë automjetit ndërsa pastaj i prangosi ata me duar prapa. Në një deklaratë me shkrim nga grupi thuhet se njerëzit kishin vendosur të bllokonin fabrikën e armëve për herë të tretë këtë muaj përmes rezistencës civile jo të dhunshme, këtë herë duke përdorur një furgon.

Deklarata shtoi se policia nxori armët mbi dy anëtarë të grupit. “Fabrika do të prodhojë municione për armë të kalibrit të madh nga mesi i vitit. ‘Rheinmetall’ me këto armë furnizon edhe Izraelin, duke kontribuar kështu në vazhdimin e gjenocidit në Palestinë”, thuhet në deklaratë.

Deklarata, e cila i bën thirrje edhe menaxhmentit të “Rheinmetall”-it të ndalojë planet e saj në fabrikën në Berlin dhe të ndalë furnizimet me armë për Izraelin, vuri në dukje se grupi do të intensifikojë veprimet e tij në korrik.

Emma Dorow, një anëtare e grupit, pikëpamjet e së cilës u përfshinë në deklaratë, tha se fabrika e armëve mbrohet nga armët. “Rheinmetall do të prodhojë këtu municione për një shtet që po kryen pa mëshirë gjenocid në Palestinë dhe Liban dhe po sulmon Iranin në shkelje të ligjit ndërkombëtar”, shtoi ajo.

Gjithashtu edhe Sari, një prej protestuesve që iu drejtua arma, tha se ata do të mblidhen midis 8-15 korrikut dhe do ta bëjnë fabrikën të paoperueshme. “Asnjë pasojë që mund të përjetoj nuk mund të krahasohet me atë që po përjetojnë njerëzit për të cilët po luftojmë. Prandaj, e gjithë kjo është e parëndësishme”, tha Sari.

Kategoritë
BotaLajme