Gjermani: Në ujë dhe baltë u gjet një veturë teren e vjedhur para 20 vitesh

Para 20 vitesh në Gjermani ishte raportuar vjedhja e një veture tereni, e cila sot u gjet rastësisht në fund të kanalit Majna-Dunav pranë qytetit bavarez Forchheim gjatë një ushtrimi të Shërbimit për Ndihmë Teknike (THW).

Siç njoftoi policia, gjatë një ushtrimi me sonar që THW e kishte zhvilluar muajin e kaluar, u zbulua një gjurmë kyçe. THW, Drejtoria për rrugët ujore dhe lundrimin, si dhe policia lumore nga Bambergu, e nxorën veturën nga kanali.

Vetura ishte tërësisht e mbuluar me guaska dhe pjesërisht ishte bashkuar me fundin e kanalit. Pasi zhytësit i lidhën litarët për tërheqje, një ekskavator nga anija e punës e ngriti automjetin në sipërfaqe dhe e nxori nga uji.

Përmes të dhënave të regjistrimit dhe targave, policia arriti të zbulojë origjinën e automjetit. Vjedhja e tij ishte raportuar në vitin 2006.

Shpëtimtarët muajin e kaluar, gjatë ushtrimit me sonar, kishin vërejtur një strukturë të pazakontë në fund të kanalit. Objekti ndodhej në tre metra thellësi, 20 metra larg bregut dhe 150 metra larg digës në Forchheim.

Për shkak të afateve ligjore për fshirjen e të dhënave, policia fillimisht nuk kishte mundur të gjente asnjë gjurmë për origjinën e veturës në bazat e saj të të dhënave.

Vetëm përmes të dhënave të vjetra të regjistrimit dhe targave, zyrtarët arritën të lidhnin rastin me vjedhjen e vitit 2006. Në automjet nuk u gjetën gjurmë që do të tregonin për ndonjë vepër penale. Hetime të mëtejshme nuk do të zhvillohen, pasi veprat e mundshme penale ndërkohë janë parashkruar, raportoi gazeta bavareze BR24.

Kategoritë
BotaLajme