Gjenerali gjerman jep urdhër për pajisjen e plotë të ushtrisë deri në vitin 2029

Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, gjenerali Carsten Breuer, ka lëshuar një direktivë me të cilën urdhëron që ushtria gjermane të jetë plotësisht e pajisur me armatim të nevojshëm deri në vitin 2029.

Sipas agjencisë Reuters, ai vlerëson se deri atëherë, Rusia mund të ketë rindërtuar kapacitetet e saj ushtarake në një masë që do të paraqiste kërcënim serioz për territorin e NATO-s.

Në dokumentin e nënshkruar nga Breuer më 19 maj thuhet se Gjermania do ta arrijë këtë qëllim me ndihmën e fondeve shtesë të planifikuara pas lehtësimit të rregullit të borxhit në muajin mars.

Përmbajtja e direktivës pasqyron prioritetet e sigurisë së Gjermanisë për vitet e ardhshme, në përputhje të madhe me pritjet e NATO-s.

Breuer thekson veçanërisht nevojën për forcimin e mbrojtjes kundërajrore, me fokus në aftësinë për të kapur dronët.

Ndër prioritetet kryesore përmendet gjithashtu zhvillimi i kapaciteteve për të kryer sulme precize në thellësi, në distanca mbi 500 kilometra.

Një nga objektivat strategjike është edhe zgjerimi i shpejtë i aftësive të Gjermanisë në luftën elektronike dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për operacione ofensive dhe mbrojtëse në hapësirë.

Kategoritë
BotaLajme