Gjenerali Clark pajtohet se ”Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova”

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili kishte qenë në komandant suprem i forcave aleate të NATO-s gjatë bombardimeve të caqeve serbe për shkak të spastrimit etnik në Kosovë, ka komentuar deklaratën e ambasadorit Christopher Hill i cili javën që shkoi tha se ”Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova…”

“Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer. E marr atë që thotë ashtu siç e thotë. Mendoj se ajo që thotë ai është absolutisht e vërtetë”, deklaroi Clark.

Këto komente, Clark i ka bërë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, në prag të 25 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të policisë dhe ushtrisë serbe për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë.

Më poshtë komentet e plota të Clark për Hill.

Pyetje: Gjeneral Clark, ju e njihni ambasadorin amerikan në Serbi, Chris Hill prej një kohe të gjatë, që nga koha e ndërhyrjes (së NATO-s). Dy ditë më pare ai tha se tani “Serbia është më afër me NATO-n sesa Kosova. Kemi patur stërvitje të përbashkëta dhe shumë gjera më ushtrinë serbe. Tani punojmë shumë më shumë së bashku (me Serbinë) sesa me UÇK-në apo çfarëdo që ka dalë prej saj”. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë?

Clark: Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer. E marr atë që thotë ashtu siç e thotë.

Pyetje: A mund të shpreheni më konkretisht?

Clark: Mendoj se ajo që thotë ai është absolutisht e vërtetë.

Pyetje: Që Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie më të mira me ushtrinë serbe se sa me Kosovën?

Clark: Nuk mund të flas me detaje sepse nuk jam pjesë e asaj marrëdhënieje. Unë i shoh gjërat nga jashtë. Por ambasadori Hill duket se ka bërë një punë të mirë për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të çuar përpara raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Dhe kjo është detyra e tij si ambasador. Nëse kjo është (një marrëdhënie) më e fortë apo më e dobët se sa marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, këtë nuk mund ta them, sepse i shoh gjërat nga jashtë.

Pyetje: Por kjo në fakt bie ndesh me qëndrimin e vetë Beogradit që nuk ka shprehur gatishmëri për të qenë anëtar i NATO-s ose për të qenë më pranë aleancës, apo jo?

Clark: Mendoj se kjo është një përpjekje për ta çuar Beogradin në drejtimin e duhur. Shpresoj që ambasadori të arrijë sukses në atë që po bën, sepse është shumë e rëndësishme, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme.

Zëri i Amerikës: Më parë ju përmendët historinë. Ka një prirje, zakonisht, mes diplomatëve dhe politikanëve për të harruar historinë, ose për ta lënë atë pas krahëve, kur duan të zgjidhin një çështje aktuale.

Duket se kjo po ndodh edhe me Kosovën dhe Serbinë dhe me diplomatët që janë përfshirë më shumë në përpjekjet për të zgjidhur çështjen që kanë në tryezë, jo duke e harruar, por në një fare mënyre duke injoruar apo neglizhuar kontekstin historik A është e mundur të ketë zgjidhje të çështjeve, pa trajtuar problemet e së shkuarës?

Gjeneral Wesley Clark: Jam i sigurt se ka këndvështrime të posaçme rreth asaj që po më pyesni. Nëse do jepja një përgjigje të përgjithshme, do thoja se duheshin trajtuar aspekte speficike mbi marrëveshje specifiike që janë mbi tryezë. Por sigurisht që nuk dua të jap një përgjigje të përgjithshme për këtë. Historika ka rëndësi. Sigurisht, edhe ndjeshmëria e njërzëve ka rëndësi. Humbja e njerëzve të dashur, poshtërimet që kanë vuajtuar, frika, çdo gjë ka rëndësi. Por është detyrë e diplomatit, që aq sa ka mundësi, të gjejë interesin e përbashkët dhe të shohi drejt së ardhmes, për të shtyrë përpara këto interesa. Dhe jam i sigurt se askush, në shërbimin diplmatik amerikan, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë më mire sesa ambasadori Chris Hill.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi