Gjenerali i ri amerikan ka marrë drejtimin e operacioneve ushtarake të aleancës veri-atlantike.
Gjenerali i ri amerikan në krye të operacioneve ushtarake të NATO-s, Alexus Grynkewich, tha gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës se kërcënimet me të cilat përballet NATO-ja po bëhen gjithnjë e më komplekse.
“Sfidat me të cilat përballet aleanca dhe partnerët tanë po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara. Kërcënimet me të cilat përballemi po bëhen gjithnjë e më të ndërthurura. Por, ato nuk mund të maten me unitetin, vendosmërinë dhe qëllimin e përbashkët që shoh brenda NATO-s”, tha ai.
Amerikani shtoi se synon të ruajë vrullin e paraardhësit të tij, gjeneralit Christopher Cavoli, në transformimin e operacioneve komanduese të aleancës.
Ai u bëri thirrje aleatëve të jenë të përgatitur për mbrojtjen e kombeve të tyre, thuhet në njoftmin e aleancës.
Gjenerali Cavoli e përshkroi pasardhësin si “oficeri që na nevojitet këtu dhe tani”.
“Ai do ta udhëheqë Aleancën tonë drejt së ardhmes së saj – një të ardhme për të cilën e dimë se do të jetë në kohë të rrezikshme. E dimë se ajo e ardhme do të ketë në qendër mbrojtjen kolektive dhe kjo është një e ardhme që do të na sfidojë të ngrihemi në lartësitë që mund t’i arrijmë së bashku”, tha ai.
Aleatët muajin e kaluar ranë dakord që të rrisin ndjeshëm objektivin e tyre për shpenzimet e mbrojtjes nga 2 për qind e GDP-së në 5 për qind.