Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka vazhduar sot me gërmimet në lagjen Tusuz të Prizrenit, ku janë gjetur disa mbetje mortore, shkruan Gazeta Metro.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se mbetjet mortore potencialisht i përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur
“Në kuadër të zbatimit të Planit të Punës nën koordinimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, janë duke kryer gërmimet vlerësuese në tri lokacione në hapësirat e ‘Varrezave të qytetit të Prizrenit’.
Gërmimet e filluar në mëngjes tanimë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund t’iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së. Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat do përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre. Gërmimet në Tusuz të Prizrenit, janë duke u kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Special”, thuhet në njoftim.