Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj gruas e cila dyshohet se mashtroi disa persona për pajisje bujqësore

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurës A.G., për veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se gjatë muajit gusht 2024, në fshatin Skivjan Komuna e Gjakovës, e pandehura A.G., me anë të paraqitjes së rrejshme të fakteve, dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, vë në lajthim personat tjerë, duke i nxitur të veprojnë, e të cilat veprime rezultojnë në dëm material të pasurisë për këtu të dëmtuarit Sh.D., D.H., J.H., Z.H., E.K., N.A., A.A., S.T., A.B.

Në atë mënyrë që e pandehura përmes takimeve që kishte pasur në fshatin Skivjan, ku e njëjta prezantohet si presidente e OJQ-së dhe gjatë këtyre takimeve e njëjta paraqet rrejshëm fakte se shteti i Danimarkës do të jep donacion mjete të punës (traktor dhe pajisje të tjera bujqësore) dhe se të njëjtit mund të jenë përfitues të këtyre donacioneve nëse paguajnë shumën nga 250 euro për person, shumë kjo e cila nga e pandehura është thënë se është e destinuar për transport, me të cilat veprime i tërheq të dëmtuarit që të paguajnë shuma të caktuara të parave në vlerë prej 250 euro, shumë kjo e kërkuar nga e pandehura në mënyrë që të përfitojnë donacionet e premtuara, por që të njëjtat mjete bujqësore nuk sjellën ashtu siç ishin premtuar, me çka të dëmtuarve iu shkakton dëm material.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurën ta shpallë fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi