Gazetari i njohur investigativ kroat Domagoj Margetić pretendon se posedon dokumente që zbulojnë rolin e Aleksandar Vuçiqit në Sarajevën e luftës gjatë viteve 1990.
“Informacioni i shkruar dhe i nënshkruar në nëntor 1993 nga Slavko Aleksiq, si komandant i çetnikëve të Novi Sarajevës, zbulon më tej përfshirjen e Aleksandar Vuçiqit në ‘safaret njerëzore’ në Sarajevën e luftës. Në dokument, Aleksiqi i njofton Komandës së Njësisë se një mysafir italian me inicialet R.R. ka dhuruar për Njësinë shumën prej njëzet mijë markash gjermane të asaj kohe, ndërsa donacioni i është dorëzuar Aleksiqit nga vullnetari i Njësisë, Aleksandar Vuçiq. Çfarë mendoni se do të kërkonte një italian gjatë luftës në varrezat hebraike në Sarajevë dhe pse do të ‘dhuronte’ një shumë kaq të madhe parash për vullnetarët e Njësisë? Është më se e qartë se bëhej fjalë për pagesë shërbimesh, gjë që konfirmohet edhe nga vetë Aleksiqi në dokument, në pjesën ku thekson se vullnetarët e Njësisë që kanë ofruar logjistikë për mysafirët e huaj do të marrin nga kjo shumë një shtesë page prej pesëdhjetë markash gjermane,” deklaroi Margetić.
Sipas tij, dokumentet që posedon përfshijnë edhe urdhra për lejimin e lëvizjes së lirë të Vuçiqit dhe mysafirëve të Njësisë, si dhe materiale të tjera nga arkivi i luftës i Slavko Aleksiqit.
“Këto dokumente m’i kanë dorëzuar bashkëluftëtarët e Slavko Aleksiqit, të cilëve ai u kishte besuar një pjesë të arkivit të tij ‘në rast se i ndodhte diçka’. Pasi ai ‘vdiq’ papritur, me ndihmën e agjentëve të BIA-s së Vuçiqit, bashkëluftëtarët e tij ma dorëzuan një pjesë të madhe të këtij arkivi,” shtoi Margetić.
Kujtojmë se rasti i njohur si “Sarajevo safari” i referohet praktikës së dyshuar të sjelljes së mysafirëve të huaj në Sarajevën e luftës gjatë viteve 1990, për të ndjekur luftimet dhe, sipas pretendimeve të hulumtuesve, për të marrë pjesë në qëllimin ndaj civilëve sarajevas.
Margetić theksoi se dokumentet që ka publikuar tregojnë gjithashtu për rolin e disa vullnetarëve të Njësisë në logjistikën e këtyre aktiviteteve.











