Fuqitë më të mëdha ushtarake evropiane po hartojnë plane për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit nga SHBA-të, duke përfshirë një propozim për administratën amerikane për një transfer të menaxhuar përgjegjësie në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme.
Këto bisedime përfaqësojnë një përpjekje për të shmangur kaosin që mund të shkaktonte një tërheqje e njëanshme e SHBA-së nga NATO-ja – një frikë e nxitur nga kërcënimet e vazhdueshme të presidentit amerikan Donald Trump për të dobësuar aleancën transatlantike që ka mbrojtur Evropën për gati tetë dekada, apo për t’u tërhequr tërësisht prej saj.
Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe vendet nordike janë ndër shtetet e përfshira në këto bisedime joformale, por të strukturuara, sipas zyrtarëve evropianë, raporton Financial Times.
Qëllimi i tyre është të krijojnë një plan për transferimin e barrës financiare dhe ushtarake tek kryeqytetet evropiane dhe ta paraqesin atë para SHBA-së përpara samitit vjetor të liderëve të NATO-s në Hagë në qershor.
Plani do të përfshinte zotime të forta për rritjen e shpenzimeve evropiane për mbrojtje dhe ndërtimin e kapaciteteve ushtarake me synim bindjen e Trump-it për të pranuar një tranzicion gradual që do t’i lejonte SHBA-së të përqendrohet më shumë në Azinë-Paqësorin.
SHBA-të, të cilat shpenzojnë më shumë për mbrojtje sesa të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s së bashku, janë të domosdoshme për sigurinë e Evropës.
Përveç kapacitetit të tyre bërthamor për parandalim, i cili është i përkushtuar për mbrojtjen e Evropës dhe mbështetet nga disa forca ajrore evropiane që mbajnë armë bërthamore amerikane, SHBA-të ofrojnë kapacitete ushtarake që aleatët kontinentalë nuk i kanë – menaxhojnë baza ajrore, detare dhe tokësore dhe kanë 80.000 trupa të stacionuara në Evropë.
Vendet si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë filluar të rrisin shpenzimet për mbrojtje ose të përshpejtojnë rritjen e planifikuar që nga zgjedhja e Trump-it, ndërsa BE-ja ka nisur iniciativa për t’i shtyrë vendet anëtare të investojnë më shumë në sektorin ushtarak.
Vlerësohet se do të duhen pesë deri në dhjetë vite shpenzimesh të shtuara që kapacitetet evropiane të arrijnë një nivel në të cilin mund të zëvendësojnë shumicën e rolit të SHBA-së – përjashtuar parandalimin bërthamor amerikan.
E vështirë të krijohet një aleancë e re
I pyetur se çfarë do të nënkuptonte një “shtyllë evropiane” brenda NATO-s dhe nëse është e realizueshme, një nga zyrtarët e lartë perëndimorë u përgjigj:
“Ne e shohim këtë pikërisht kështu dhe tani: Britania dhe Franca po marrin iniciativën (për forcat e garancisë ndaj Ukrainës) pa amerikanët.”
Zyrtarët e NATO-s argumentojnë se mbajtja e aleancës me më pak ose pa pjesëmarrjen e SHBA-së do të ishte shumë më e lehtë sesa krijimi i një strukture të re, duke pasur parasysh vështirësitë në riformësimin apo rinegocimin e planeve ekzistuese ushtarake për mbrojtjen e kontinentit, objektivave dhe rregullave për kapacitete, strukturës komanduese dhe nenit 5 të NATO-s.