Friedrich Merz: Mali i Zi tashmë është gati për anëtarësim në BE, askush nuk dinte çfarë të bënte me Ballkanin Perëndimor

Kancelari gjerman Friedrich Merz, gjatë samitit të Këshilli Evropian të mbajtur më 18 dhe 19 qershor në Bruksel, komentoi procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian në këtë rajon ka zgjatur tashmë rreth 20 vjet, por nënvizoi se njëri prej vendeve ka bërë përparim të dukshëm.

“Të paktën një nga këto vende, përkatësisht Mali i Zi, praktikisht është gati për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Shumica e kapitujve negociues janë përmbyllur dhe vendi tani mund të hyjë në fazën përfundimtare të procesit”, deklaroi Merz.

Ai shtoi se mbetet ende për t’u vendosur nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE një nga një apo së bashku, duke theksuar se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian në tetor.

Merz tha se situata aktuale është shumë më ndryshe nga e kaluara dhe se më parë ishte ndjekur një qasje e gabuar ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Shumë kolegë janë mirënjohës që po dalim nga frustrimi që kishim vitin e kaluar, kur këtu në Bruksel u mbajt samiti i fundit për Ballkanin Perëndimor dhe askush në të vërtetë nuk e dinte se çfarë po bënim me vendet e rajonit dhe si duhej të vazhdonim përpara”, tha ai.

Në fund, kancelari gjerman përmendi edhe një plan të Gjermanisë, të mbështetur nga Emmanuel Macron, sipas të cilit vendeve kandidate do t’u ofroheshin disa përfitime konkrete që gjatë fazës së negociatave.

“Përpjekja ime dhe e Emmanuel Macronit është pikërisht që të dalim nga ky ngërç dhe të ofrojmë një propozim se si mund të ecet përpara me këtë çështje”, deklaroi Merz.

Kategoritë
BotaLajme