Francë, restoranti i famshëm në Paris sulmohet gjatë protestës kundër reformës së pensioneve

Francë, restoranti i famshëm në Paris sulmohet gjatë protestës kundër reformës së pensioneve

Disa grupe sulmuan restorantin La Rotonde, i konsideruar si një nga vendet e preferuara të presidentit Emmanuel Macron

Restoranti i famshëm La Rotonde në Paris është sulmuar gjatë protestave kundër reformës së pensioneve sot, transmeton Anadolu.

Një tubim kundër reformës qeveritare të pensioneve nisi pasditen e sotme në kryeqytet.

Kjo është dita e 11-të e mobilizimit të planifikuar që nga janari, me mijëra punëtorë që protestojnë dhe kanë organizuar greva në sektorë të ndryshëm, përfshirë transportin, energjinë dhe arsimin.

Disa grupe sulmuan restorantin La Rotonde, i konsideruar si një nga vendet e preferuara të presidentit Emmanuel Macron, pasi ai festoi atje raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 2017-ës.

Një zjarr u ndez pranë restorantit La Rotonde dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, raportojnë mediat lokale.

Protestuesit hodhën objekte në drejtim të oficerëve të policisë dhe bojë me ngjyra në dritaret e restorantit, tha korrespondenti i Anadolus, duke shtuar se policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e dhunshme.

Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera, si Lion, Rennes dhe Marseille.

Policia ka arrestuar tetë persona deri më tani, sipas të përditshmes Le Figaro.

Një grup punonjësish protestues të hekurudhave kanë hyrë në ambientet e kompanisë shumëkombëshe të menaxhimit të aseteve BlackRock, në ndërtesën historike Centorial, shtoi i njëjti burim.

Ata filluan të këndojnë në sallën e ndërtesës që simbolizon bankat dhe pasurinë për ta, tha gjithashtu Le Figaro.

Grupi u largua nga ndërtesa pak më vonë dhe u drejtua për në sheshin Place de la Concorde, pranë Asamblesë Kombëtare.

Autoritetet franceze presin deri në 800.000 protestues, duke përfshirë 90.000 në Paris, tha transmetuesi BFMTV.

Një total prej 11.500 oficerësh policie janë angazhuar në vend për të ndërhyrë në problemet e mundshme, duke përfshirë 4.200 në Paris, tha Ministria e Brendshme, sipas Le Figaros.

– Plani i reformës së pensioneve, burim i tërbimit popullor

Qeveria zbuloi projektin e reformës në janar dhe parlamenti filloi shqyrtimin dhe debatimin e projektligjit muajin pasardhës.

Punëtorët dhe sindikatat kanë shprehur që atëherë zemërim në rritje duke mbajtur demonstrata dhe greva kundër reformës, e cila përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 deri në vitin 2030, duke kërkuar po ashtu të paktën 43 vjet punë për t’u kualifikuar për një pension të plotë.

Tensionet politike dhe sociale u rritën kur presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministrja Elisabeth Borne vendosën të përdorin kompetenca të veçanta kushtetuese – Neni 49.3 – më 16 mars, për t’ia hapur rrugën planit pa miratimin e parlamentit.

Vendimi u nxit nga frika se ligjvënësit do të mund të bllokonin reformat pasi qeveria nuk ka shumicë absolute në legjislaturë.

Protestat më pas u shndërruan në dhunë kur grupet e dhunshme depërtuan në parada në gjithë vendin dhe policia u kritikua për arrestime arbitrare dhe përdorim joproporcional të forcës.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova